
Emri i Fisnik Asllanit po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendje në tregun europian të futbollit. Sulmuesi i Hofenhejmit, i cili po kalon një sezon mbresëlënës me paraqitje dhe statistika të nivelit të lartë, raportohet se po monitorohet nga disa prej klubeve më të mëdha të kontinentit, përfshirë edhe Barcelonën.
Mes spekulimeve të shumta për të ardhmen e tij, futbollisti i përfaqësueses së Kosovës ka reaguar publikisht për herë të parë. Në një intervistë për “Sky Sport” në Gjermani, Asllani ka shprehur hapur ambiciet e tij, duke lënë të kuptohet se është gati për një hap të rëndësishëm në karrierë.
I pyetur për mundësinë e aktivizimit në Champions League, ai u shpreh:
“Champions League është ëndrra e çdo futbollisti. Është një ndjenjë e jashtëzakonshme të luash në atë kompeticion. Edhe kur e shoh në televizor dhe dëgjoj himnin, më dridhet trupi”.
Ai shtoi se kjo dëshirë lidhet edhe me përjetime personale:
“Gjithmonë e kam ndjekur Champions League me babanë tim. Të luaj një ditë aty është një objektiv i madh për mua, një ëndërr që e kam që nga fëmijëria”.
Këto deklarata interpretohen si një sinjal i qartë se lojtari synon të transferohet në një klub që garon në elitën europiane, ku Barcelona përmendet si një nga opsionet e mundshme.
Ndërkohë, agjenti i tij, Ajman Dahmani, ka konfirmuar më herët kontaktet me klubin katalanas, duke deklaruar se interesi i Barcelonës është konkret në këtë fazë.
Lini një Përgjigje