
Kampionati italian i Serisë B mund të mirëpresë një tjetër futbollist shqiptar duke nisur nga sezoni i ardhshëm. Rilind Nivokazi, i cili aktualisht luan në Zvicër me skuadrën e Sionit, ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve italiane, sipas raportimeve të “Tuttomercatoweb”.
26-vjeçari, i lindur në Itali, është formuar në akademitë e futbollit italian, ku spikat edhe periudha tek Atalanta. Ai ka patur gjithashtu eksperiencë në futbollin profesionist me Foxhian, përpara se të transferohej në Zvicër.
Sezoni aktual ka qenë mjaft pozitiv për Nivokazin, i cili me fanlën e Sionit ka realizuar 12 gola dhe ka dhënë 4 asiste, duke u kthyer në një nga lojtarët më të dalluar të ekipit të tij.
Performanca e tij ka nxitur interesin e disa klubeve italiane, të cilat po shqyrtojnë mundësinë për ta rikthyer në Itali gjatë merkatos së verës. Mes emrave të përmendur janë Modena dhe Avelino, që mund ta kenë në listën e prioriteteve për sezonin e ardhshëm.
Në aspektin ndërkombëtar, Nivokazi ka qenë pjesë e përfaqësueseve të moshave të Italisë, ndërsa më pas ka zgjedhur të përfaqësojë Kosovën në nivelin U-21.
Lini një Përgjigje