TAGS-AT E JAVËS

Sport27 Maj 2026, 17:09

Ishte futbollisti i parë që rezultoi me doping në Botëror, si u mor me forcë nga hoteli dhe u torturua nga regjimi ish-ylli i Haitit

Shkruar nga Pamfleti
Ishte futbollisti i parë që rezultoi me doping në Botëror,
haiti

Kupa e Botës “Gjermani 1974” solli shumë risi në historinë e futbollit, por një prej ngjarjeve që mbeti gjatë në kujtesë ishte rasti i parë i dopingut në një Botëror. Futbollisti haitian Ernst Zhan Zhozef u bë lojtari i parë në historinë e Kupës së Botës që rezultoi pozitiv në testet antidoping.

Mesfushori 26-vjeçar i Kombëtares së Haitit kishte përdorur substanca stimuluese për rritjen e forcës fizike, ndërsa në atë kohë FIFA ende nuk kishte një rregullore të qartë për ndëshkimin e futbollistëve që kapeshin me doping. Për këtë arsye, Komisioni Disiplinor vendosi vetëm përjashtimin e tij nga pjesa e mbetur e turneut, duke i hequr të drejtën për të luajtur në ndeshjet e ardhshme të Haitit.

Megjithatë, ndëshkimi sportiv ishte vetëm fillimi i kalvarit për Zhan Zhozef.

Vetëm dy ditë pas ndeshjes së tij të parë dhe të fundit në Botëror, futbollisti u mor me forcë nga hoteli ku qendronte në Mynih nga agjentë të sigurisë së regjimit të diktatorit haitian Fransua Duvalier, i njohur si “Papa Dok”. Sipas dëshmive të mëvonshme, ai u dërgua në një rezidencë sekrete ku u dhunua brutalisht.

Pas kthimit në Haiti, situata e tij u përkeqësua edhe më shumë. Regjimi e konsideroi përgjegjës për dëmtimin e imazhit të vendit në arenën ndërkombëtare dhe e dënoi me dy vite në një kamp pune.

Unë nuk e dija se kisha marrë diçka të ndaluar”, deklaroi më vonë Zhan Zhozef, duke këmbëngulur se nuk kishte përdorur me vetëdije substanca të ndaluara.

Në kampin e punës, ish-futbollisti u torturua sërish dhe përfundoi për muaj të tërë në spital në gjendje të rëndë shëndetësore. Historia e tij mbetet një nga episodet më dramatike që lidhen me futbollin dhe regjimet diktatoriale.

Paradoksi i fatit të tij erdhi pas përfundimit të dënimit. I njëjti regjim që e kishte torturuar vendosi ta rikthente në formë fizike, pasi Kombëtarja e Haitit kishte nevojë për shërbimet e tij në eliminatoret e ardhshme.

Zhan Zhozef u rikthye sërish me fanelën e Haitit dhe mori pjesë në eliminatoret për Kupën e Botës “Argjentinë 1978” dhe më pas në ato të Botërorit “Spanjë 1982”, duke vazhduar karrierën pavarësisht traumave të rënda që kishte përjetuar.

zhan zhezef ish-futbollisti i haitit

Lini një Përgjigje