Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka vlerësuar progresin e bërë nga kampionati shqiptar, ndonëse pranoi se futbolli vendas mbetet ende larg standardeve të kampionateve më të zhvilluara europiane.
Në një intervistë për “Top Albania Radio”, Duka u shpreh se Superiorja është bërë më konkurruese dhe më e paparashikueshme, çka sipas tij e bën garën më interesante për tifozët.
“Nga pikëpamja e garës kampionati është shumë interesant dhe askush nuk e parashikon. Nëse do të flasim për nivelin, i yni nuk është në nivelet e kampionateve të përparuara të Europës. Ka bërë hapa pozitivë përpara, por është ende larg”, deklaroi Duka.
Kreu i FSHF-së theksoi se Shqipëria qëndron mirë në raport me vendet e rajonit në disa aspekte infrastrukturore, veçanërisht sa i përket stadiumeve, por nënvizoi nevojën për më shumë fusha stërvitore.
“Sa i përket Ballkanit, jemi mirë në disa komponentë dhe duhet të punojmë në aspekte të tjera. Sa i përket stadiumeve jemi para, por mund të kishim numër më të madh fushash për stërvitje”, shtoi ai.
Duka komentoi edhe mundësinë e një Kombëtareje të përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke e konsideruar aktualisht të pamundur për shkak të statusit shtetëror të dy vendeve. Megjithatë, ai hodhi një ide që sipas tij mund të diskutohet në të ardhmen.
“Që Shqipëria dhe Kosova të kenë një Kombëtare është e pamundur përderisa nuk jemi një shtet. Ajo çfarë mund të mendoj unë do të ishte që njëri nga shtetet të vendosë të mos ndërtojë Kombëtare dhe lojtarët të shkojnë në njërin prej ekipeve”, u shpreh presidenti i FSHF-së.
Në pjesën sportive të intervistës, Duka kujtoi emocionet më të forta me Kombëtaren shqiptare, duke veçuar ndeshjen ndaj Andorrës dhe golin e Nedim Bajramit ndaj Çekisë.
“Emocion më shumë kam përjetuar në ndeshjen me Andorrën, kishte shumë pak raste dhe po hasnim vështirësi. Goli që më ka mbetur më shumë në mendje është i Bajramit në Çeki”, tha ai.
Ai vlerësoi gjithashtu ish-trajnerin Gianni De Biasi si figurën më karizmatike në historinë e Kombëtares, ndërsa përmendi Julian Shehun si lojtarin që e ka surprizuar më shumë.
Duka komentoi edhe përdorimin e teknologjisë VAR në futboll, për të cilën tha se, megjithëse personalisht nuk është shumë i favorizuar, ajo ka ndihmuar ndjeshëm në uljen e gabimeve arbitrare.
“Unë personalisht nuk jam për teknologjinë, por VAR-i ka korrigjuar shumë gabime dhe ka shënuar progres të madh në këtë aspekt”, deklaroi ai.
Në një seri zgjedhjesh të shpejta mes futbollistëve dhe figurave të njohura të Kombëtares, Duka preferoi Ernest Muçin ndaj Armando Brojës, Etrit Berishën ndaj Thomas Strakoshës dhe Lorik Canën ndaj Mërgim Mavrajt.
Në fund të intervistës, presidenti i FSHF-së foli për objektivat ndërkombëtare të Shqipërisë në futboll. Ai konfirmoi se vendi do të organizojë Kampionatin Europian për 21-vjeçarët dhe se po punohet për të sjellë finalen e Superkupës së Europës në Tiranë në vitin 2028.
“Do të organizojmë Europianin për 21-vjeçarët në vitin e ardhshëm dhe po lobojmë për të pasur finalen e Superkupës së Europës në Shqipëri në vitin 2028. Zakonisht ne kur nisemi, i realizojmë gjërat”, përfundoi Duka.
Lini një Përgjigje