Pavarësisht sezonit pozitiv në aspektin personal, ku realizoi 23 gola, Vedat Muriqi nuk arriti ta ndihmonte Majorkën të siguronte mbijetesën në elitën e futbollit spanjoll. Klubi ishullor do të garojë sezonin e ardhshëm në Segunda Divizion, pas një kampionati të vështirë që u mbyll me zhgënjim për tifozët dhe skuadrën.
Pas konfirmimit të rënies nga La Liga, sulmuesi i Kosovës publikoi një letër të hapur drejtuar tifozëve të Majorkës, ku shprehu dhimbjen për situatën dhe lidhjen e fortë që ka krijuar me klubin.
“Sot fjalët vërtet peshojnë shumë. Sepse dhimbja dhe trishtimi që ndjen ti, i ndjej edhe unë, thellë në zemër të zemrës sime”, shkroi Muriqi.
Sulmuesi theksoi se gjatë gjithë sezonit skuadra dhe tifozët qëndruan të bashkuar, pavarësisht vështirësive.
“Gjatë gjithë sezonit qeshëm së bashku, vuajtëm së bashku. Jetuam momente të vështira, por kurrë nuk e humbëm besimin te njëri-tjetri. Sa herë që dilja në fushë, ndjeja përgjegjësinë për të mbrojtur këtë fanelë dhe të ndjeja mbështetjen tuaj pas meje gjithmonë më jepte forcë”, u shpreh ai.
Muriqi pranoi se futbolli mund të jetë i pamëshirshëm, por shtoi se beson te rikthimi i Majorkës në elitë.
“Futbolli ndonjëherë mund të jetë shumë mizor. Por të gjithë ata që e njohin shpirtin e Majorkës e dinë një gjë: ky klub gjithmonë ka ditur si të ngrihet përsëri. Dhe unë besoj në këtë me gjithë zemër”, vijon letra e tij.
Në fund të mesazhit, ai u shpreh optimist për të ardhmen e klubit.
“Sot jemi të trishtuar, të lënduar… por kjo stemë do të kthehet në vendin që meriton. Sepse historia e Majorkës nuk është shkruar kurrë me dorëzim. Faleminderit të gjithëve që ishin me ne në çdo moment”, përfundoi Muriqi.
Ndërkohë, e ardhmja e bomberit dardan mbetet ende e paqartë. Për Muriqin raportohet se ka interes të madh nga Superliga turke, ku Gallatasaraji dhe Fenerbahçe po ndjekin nga afër situatën e tij. Megjithatë, deri tani futbollisti nuk ka bërë asnjë deklaratë zyrtare për largimin nga Majorka.
Nuk përjashtohet mundësia që ai të vazhdojë të qendrojë në klubin spanjoll, duke marrë parasysh raportin e veçantë që ka krijuar me tifozët dhe ambientin në ishull.
Lini një Përgjigje