TAGS-AT E JAVËS

Sport26 Maj 2026, 18:57

Brajan Gruda vijon të mbetet në radarët e kombëtares, çfarë po ndodh me sulmuesin shqiptar dhe përfaqësuesit e FSHF

Shkruar nga Pamfleti
Brajan Gruda vijon të mbetet në radarët e kombëtares,
brajan gruda

Brajan Gruda vijon të mbetet në radarët e Kombëtares shqiptare, pasi 21-vjeçari nuk u përfshi nga Gjermania në planet për Botërorin 2026. Në një deklaratë për mediat, trajneri i Shqipërisë U-21, Alban Bushi, konfirmoi se Federata Shqiptare e Futbollit ka vite që mban kontakte me futbollistin e Brajtonit.

Mesa di, kemi kohë që e kemi kontaktuar. Ka 3-4 vjet që Drejtoria Teknike ka pasur kontakte të vazhdueshme. E kam thënë dhe herë të tjera që, nëse nuk do të jetë pjesë e Gjermanisë, opsioni i parë do të jetë Shqipëria”, deklaroi Bushi në konferencën për shtyp.

Tekniku kuqezi vlerësoi lart cilësitë e Grudës, duke theksuar se profili i tij përshtatet më shumë me skemat që aplikon trajneri i Kombëtares A, Silvinjo.

Është një lojtar me shumë potencial, përsa i përket cilësive që ai ka. Ka cilësi që nuk është se i kanë shumë tek ekipi ynë Kombëtar, sidomos me skemën që luan Silvinjo, 4-3-3 ose 4-2-3-1, është shumë i përshtatshëm”, u shpreh Bushi.

Megjithatë, trajneri i U-21 pranoi se Gruda nuk do të ishte lehtësisht i integrueshëm në skemën aktuale të skuadrës së tij.

Por me një skemë siç luan Kombëtarja U-21, do ta kishim të vështirë se ku mund të bënte pjesë sepse luajmë pa një sulmues anësor”, shtoi ai.

Deklaratat e Bushit konfirmojnë se Shqipëria nuk ka hequr dorë nga mundësia për të afruar talentin me origjinë shqiptare, për sa kohë ai vazhdon të ketë të drejtën për të përfaqësuar kuqezinjtë.

Sulmuesi i Brajtonit u pa së fundmi në Shkodër, ku po kalonte pushimet, ndërsa mbetet për t’u parë nëse mungesa e një ftese nga Gjermania në të ardhmen do ta shtyjë drejt një vendimi përfundimtar në favor të Shqipërisë.

brajan gruda sulmuesi shqiptar kombëtarja kuqezi

Lini një Përgjigje