TAGS-AT E JAVËS

Sport26 Maj 2026, 17:30

“Ndeshja e Shekullit” që mbeti në historinë e Botërorit: Itali-Gjermania Perëndimore dhe arratisja e 23 të burgosurve

Shkruar nga Pamfleti
“Ndeshja e Shekullit” që mbeti në historinë e
itali-gjermania perëndimore

Kupa e Botës e vitit 1970 solli momente të paharrueshme për futbollin botëror, por ndeshja që mbeti më gjatë në kujtesën e tifozëve ishte gjysmëfinalja mes Italisë dhe Gjermanisë Perëndimore. Përballja, e zhvilluar në stadiumin “Azteca” të Meksikës, u pagëzua më pas si “Ndeshja e Shekullit”, për shkak të ritmit dramatik, rivalitetit të madh dhe emocioneve të jashtëzakonshme që prodhoi.

Italia kaloi në avantazh që në minutën e tetë, kur Roberto Boninsenja realizoi golin e parë të sfidës. Pas këtij momenti, të dyja skuadrat krijuan raste për shënim, ndërsa italianët u përpoqën të mbronin epërsinë minimale deri në fundin e kohës së rregullt.

Kur gjithçka dukej e mbyllur në favor të “axurrëve”, Karl-Heinz Shnelinger barazoi në minutën e 90-të, duke dërguar ndeshjen në kohën shtesë dhe duke hapur një kapitull dramatik të historisë së futbollit.

Një nga imazhet më ikonike të asaj mbrëmjeje ishte ai i Franz Bekenbauerit, i cili vazhdoi të luante me krahun e fashuar, pasi Gjermania kishte konsumuar të gjitha zëvendësimet dhe kapiteni nuk donte ta linte skuadrën me një lojtar më pak.

Vetëm katër minuta pas nisjes së shtesës, Gerd Myler kaloi në avantazh Gjermaninë Perëndimore. Megjithatë, përgjigjja e Italisë erdhi menjëherë, pasi Tarcisio Burgnish barazoi vetëm katër minuta më vonë.

Spektakli vazhdoi me ritëm të çmendur. Luixhi Riva riktheu Italinë në avantazh në minutën e 104-t, por Myler realizoi sërish për gjermanët, duke barazuar rezultatin në 3-3 dhe duke mbajtur gjallë shpresat e skuadrës së tij.

Në një sfidë që dukej se nuk do të përfundonte kurrë, Xhani Rivera shënoi golin vendimtar në minutën e 111-të, vetëm një minutë pas barazimit të Myler. Italia arriti ta ruajë avantazhin deri në fund dhe siguroi kualifikimin për në finalen e Kupës së Botës.

Nëse dikush nuk e ka parë këtë ndeshje, ka humbur gjysmën e bukurisë së futbollit”, deklaroi Xhani Rivera pas përfundimit të takimit.

Arratisja që ndodhi gjatë ndeshjes

Përveç dramës sportive, kjo sfidë pati edhe pasoja të pazakonta jashtë fushës. Në burgun e qytetit meksikan Tikstla, 23 të burgosur të konsideruar të rrezikshëm arritën të arratiseshin gjatë zhvillimit të ndeshjes.

Sipas raportimeve të kohës, rojet e burgut kishin lënë postet e tyre për të ndjekur transmetimin e përballjes Itali–Gjermani Perëndimore në një sallë brenda institucionit. Intensiteti dhe emocionet e ndeshjes bënë që ata të shpërqendroheshin plotësisht për afro 120 minuta, duke u krijuar të burgosurve mundësinë për të realizuar arratisjen pa u vënë re.

italia gjermania perëndimore kupa e botës 1970

Lini një Përgjigje