Blerton Isufi ka vendosur veshë fanelën kuq e zi. Mesfushori me tipare sulmuese është ftuar për herë të parë nga trajneri Alban Bushi në Kombëtaren shqiptare U-21, duke hedhur një hap të rëndësishëm në karrierën e tij.
20-vjeçari, i cili aktivizohet me klubin norvegjez Molde, nuk ka regjistruar më parë asnjë paraqitje me ekipet e moshave të Kosovës. Vendimi i tij për t’iu bashkuar kuqezinjve vjen në prag të ndeshjeve të muajit qershor, ku pritet të veshë për herë të parë fanelën e Shqipërisë.
Isufi u transferua te Molde gjatë verës së kaluar për një shumë prej rreth 600 mijë eurosh nga klubi norvegjez Mos. I lindur në Norvegji nga prindër me origjinë nga Kosova, ai konsiderohet një prej talenteve premtuese në repartin ofensiv të mesfushës.
Me këtë zgjedhje, Isufi ndjek rrugën e Etnik Brrutit, ish-kapitenit të Kosovës U-21, i cili gjithashtu vendosi të përfaqësojë Shqipërinë. Vendimi i Brrutit në atë kohë shkaktoi debate dhe reagime të shumta në opinionin sportiv në Kosovë.
Lini një Përgjigje