Ylber Ramadani ka qenë një nga lojtarët kyç në sezonin historik të Leçes, me skuadrën italiane që siguroi mbijetesën në Serinë A për të katërtin vit radhazi. Klubi do të vazhdojë të jetë pjesë e elitës së futbollit italian edhe sezonin e ardhshëm, duke arritur një rekord të ri në historinë e tij me pesë sezone radhazi në Serinë A.
Mesfushori shqiptar ishte një titullar i padiskutueshëm nën drejtimin e trajnerit Euzebio Di Françesko, duke dhënë kontribut të rëndësishëm në vazhdimësinë e rezultateve të ekipit. Pavarësisht një buxheti më të ulët krahasuar me rivalët direkt, Leçe arriti të mbijetojë edhe këtë sezon në kampionatin italian.
Paraqitjet e Ramadanit janë vlerësuar edhe nga drejtuesit e klubit, të cilët aktivizuan klauzolën për zgjatjen e kontratës së tij me një tjetër vit. Mesfushori shqiptar tashmë është i lidhur me Leçen deri në verën e vitit 2027.
Megjithatë, Ramadani nuk do ta nisë sezonin 2026-2027 që nga java e parë. Kartoni i verdhë i marrë në sfidën e fundit ndaj Xhenoas bëri që ai të plotësonte limitin e ndëshkimeve, duke u pezulluar për një ndeshje. Si pasojë, shqiptari do të mungojë në takimin hapës të sezonit të ri në Serinë A.
Lini një Përgjigje