Muaji maj ka qenë një periudhë e trazuar për Milanin, me tensione të forta brenda klubit dhe përplasje mes drejtuesve. Sipas raportimeve nga Italia, atmosfera në ambientet kuqezi ishte e rënduar, ndërsa Igli Tare dhe trajneri Masimiliano Alegri po punonin për të arritur objektivin e kualifikimit në Ligën e Kampioneve.
Gazetarja sportive Monika Kolombo ka zbuluar detaje të reja nga ndeshja e fundit në “San Siro”, e humbur 1-2 ndaj Kaljarit. Në një analizë për “Corriere della Sera”, ajo përshkruan një situatë të pazakontë në tribunën e drejtuesve të klubit.
Sipas saj, në momentin e golit të shënuar nga Salemakers në minutën e dytë, vetëm Igli Tare u ngrit për të festuar avantazhin e Milanit. Drejtuesit e tjerë, gjithmonë sipas gazetares, qendruan të palëvizur dhe dukeshin të pakënaqur me mënyrën si po shkonte ndeshja.
Kolombo shkruan se skuadra ishte në pozita të favorshme për të siguruar një vend në Champions League, objektiv që i ishte vendosur si Alegrit ashtu edhe Tares në fillim të sezonit. Një rezultat pozitiv, sipas saj, do ta bënte të vështirë largimin e trajnerit dhe drejtorit sportiv.
Në shkrim përmendet gjithashtu se Zlatan Ibrahimoviç, në rolin e këshilltarit të grupit “RedBird”, nuk kishte marrëdhënie të mira me asnjërin prej tyre.
Ndërkohë, ditën e djeshme pronari i klubit, Xherri Kardinale, vendosi shkarkimin e drejtuesve dhe të trajnerit Masimiliano Alegri. Sipas raportimeve në Itali, i vetmi që mbeti në strukturën drejtuese është Zlatan Ibrahimoviç, i cili konsiderohet nga mediat si një nga figurat më me ndikim në zhvillimet e fundit te Milani.
Deklarata e plotëe Monika Kolombos:
“Krisja mes Alegrit dhe Ibrahimoviç, që i ka rrënjët shumë pas në kohë, kishte ndodhur në një restorant në praninë e Furlanit dhe Tares, me këtë të fundit që është detyruar të ndajë fizikisht trajnerin dhe suedezin.
Me sa jam në dijeni, Ibrahimoviç ka tre muaj që nuk shihet në dhomat e zhveshjeve në stadium apo klub, për t’u afruar duhet një përballje mes tij dhe Alegrit që nuk ka ndodhur kurrë. Palët nuk flasin dhe të vazhdosh në këtë mënyrë është e pamundur. Një nga pikat e përplasjes ishte për portierin e tretë që duhej vendosur në ekip në sezonin e ardhshëm, por ishte thjesht pretekst për të ringjallur tensionin e vjetër.
Kur Alegri mësoi për kontaktet që Ibra kishte me Kasanon, kjo nuk ndihmoi. Ashtu si nuk ndihmoi fakti që Ibra ka kontaktuar Leaon dhe Fofana duke u dhënë këshilla taktike të ndryshme nga ato që i ka dhënë trajneri në stërvitje”, ishin fjalët e Kolombos që i paraprinë kaosit të madh që shpërtheu te Milani në ditët e fundit.
Lini një Përgjigje