Xherri Kardinale ka nisur një epokë të re te Milani, por klima rreth klubit kuqezi mbetet e tensionuar. Grupimet e organizuara të tifozëve vijojnë protestat ndaj drejtimit aktual dhe gjatë orëve të natës janë shfaqur parulla të tjera pranë stadiumit “San Siro”.
Në qendër të kritikave është vendosur sërish Zlatan Ibrahimoviç, i konsideruar si një nga figurat kyçe të projektit të ri të klubit. Në një prej banderolave shkruhej:
“Ibra, e keqja absolute. Alegri dhe Tare, të vetmit burra të vërtetë.”
Me këtë mesazh, tifozët kanë dalë edhe një herë në mbrojtje të Masimiliano Alegrit dhe Igli Tares, ashtu siç ndodhi edhe gjatë protestës së organizuar para sfidës Milan-Atalanta më 10 maj.
Megjithatë, të dy figurat janë larguar tashmë nga detyrat e tyre gjatë ditës së hënë, duke shtuar edhe më shumë paqartësinë rreth të ardhmes së klubit. Paralelisht, protestat ndaj pronarit Xherri Kardinale vazhdojnë, ndërsa kritikat nuk kanë kursyer as futbollistët pas humbjes ndaj Kaljarit.

Një tjetër parullë e vendosur pranë stadiumit përcillte mesazhin:
“Futbollistë dhe klub, të gjithë fajtorë.”
Situata te Milani mbetet e ndezur dhe duket se vetëm rezultatet pozitive mund të rikthejnë qetësinë në ambientin kuqezi.
Ndërkohë, mediat italiane kanë evidentuar edhe një detaj domethënës pas largimit të Masimiliano Alegrit. Asnjë prej futbollistëve të Milanit nuk reagoi në rrjetet sociale për ta përshëndetur trajnerin pas shkarkimit të tij. Heshtja përfshiu edhe lojtarë që konsideroheshin më pranë teknikut livornez, si Gabia, Menjo apo Rabio.
E njëjta situatë u vu re edhe nga Luka Modriç, i cili vetëm pak ditë më parë kishte shprehur publikisht vlerësim për Alegrin në një intervistë, ndërsa trajneri vazhdon të përflitet si një nga kandidatët për pankinën e Napolit.
Lini një Përgjigje