Me përfundimin e kampionateve kryesore europiane, është mbyllur edhe gara për “Këpucën e Artë”, trofeun që vlerëson golashënuesin më të mirë të sezonit në ligat europiane. Pas një sezoni të gjatë dhe konkurrues, sulmuesi anglez Herri Kejn ka siguruar vendin e parë në renditjen finale.
Kejn dominoi listën gjatë pjesës më të madhe të sezonit, duke konfirmuar formën e tij të shkëlqyer me Bajernin e Mynihut. Sulmuesi 32-vjeçar e përfundoi Bundesligën me 36 gola dhe 5 asistime në 31 ndeshje, duke grumbulluar 72 pikë në renditjen e “Këpucës së Artë”.
Sistemi i pikëzimit të këtij trofeu ndryshon sipas nivelit të kampionatit: golat në pesë ligat kryesore europiane vlejnë 2 pikë, në kampionatet nga vendi i gjashtë deri në të njëzetenjëtin vlejnë 1.5 pikë, ndërsa në ligat e tjera llogariten me 1 pikë për gol.
Në vendin e dytë u rendit Erling Haland i Mançester Sitit. Norvegjezi realizoi 27 gola dhe 8 asiste në Premier Ligë, duke e mbyllur sezonin me 54 pikë. Ai fitoi për herë të tretë radhazi “Këpucën e Artë” të kampionatit anglez.
Podiumi u plotësua nga Kilian Mbape. Sulmuesi i Realit të Madridit shënoi 25 gola në La Liga dhe fitoi sërish trofeun “Pichichi” si golashënuesi më i mirë i kampionatit spanjoll. Francezi e përfundoi sezonin me 50 pikë.
Një nga surprizat e sezonit ishte kroati Dion Drena Beljo i Dinamo Zagrebit. Ai realizoi 31 gola dhe 5 asiste, duke grumbulluar 46.5 pikë dhe duke u renditur mes emrave më të spikatur të vitit.
Po aq i rëndësishëm ishte edhe sezoni i Vedat Muriqit me Majorkën. Sulmuesi kosovar shënoi 23 gola në La Liga dhe e mbylli garën me 46 pikë, megjithëse skuadra e tij nuk arriti të shmangte rënien nga kategoria.
Në mesin e dhjetë golashënuesve më të mirë europianë u renditën edhe Igor Tiago i Brentfordit me 22 gola dhe 44 pikë, Luis Suarez i Sportingut me 28 gola dhe 42 pikë, si dhe Esteban Lepol i Rene, i cili u shpall golashënuesi më i mirë i Ligës 1 me 20 gola.
Lista e dhjetëshes më të mirë plotësohet nga Deniz Undav i Shtutgartit me 19 gola dhe 38 pikë, si dhe japonezi Ajase Ueda i Fejnordit, autor i 25 golave dhe 37.5 pikëve.
Renditja finale e “Këpucës së Artë” 2025/2026:
Herri Kejn (Bajern Mynih) – 36 gola / 72 pikë
Erling Haland (Mançester Siti) – 27 gola / 54 pikë
Kilian Mbape (Real Madrid) – 25 gola / 50 pikë
Dion Drena Beljo (Dinamo Zagreb) – 31 gola / 46.5 pikë
Vedat Muriqi (Majorka) – 23 gola / 46 pikë
Igor Tiago (Brentford) – 22 gola / 44 pikë
Luis Suárez (Sporting) – 28 gola / 42 pikë
Esteban Lepol (Rene) – 20 gola / 40 pikë
Deniz Undav (Shtutgart) – 19 gola / 38 pikë
Ajase Ueda (Fejnord) – 25 gola / 37.5 pikë
Lini një Përgjigje