Milani duket se ka kaluar javë të tensionuara brenda klubit, me raportime nga mediat italiane që flasin për përplasje të forta mes figurave kryesore të kuqezinjve. Sipas këtyre raportimeve, marrëdhënia mes trajnerit Masimiliano Alegri dhe Zlatan Ibrahimoviçit është përkeqësuar ndjeshëm, deri në pikën që palët kanë qenë pranë një konflikti fizik.
Në qendër të vëmendjes është rikthyer deklarata e gazetares së njohur të “Corriere della Sera”, Monika Kolombo, e cila prej vitesh ndjek zhvillimet te Milani dhe konsiderohet një burim i besueshëm për çështjet e klubit italian. Ajo kishte zbuluar se tensioni mes Alegrit dhe Ibrahimoviçit kishte shpërthyer gjatë një takimi në restorant, ku të pranishëm ishin edhe administratorët e klubit.
“Krisja mes Alegrit dhe Ibrahimoviçit, që i ka rrënjët shumë pas në kohë, kishte ndodhur në një restorant në praninë e Furlanit dhe Tares, me këtë të fundit që është detyruar të ndajë fizikisht trajnerin dhe suedezin”, deklaroi Kolombo, duke iu referuar burimeve pranë klubit kuqezi.
Sipas saj, raportet mes dy figurave ishin thuajse të ndërprera prej muajsh.
“Me sa jam në dijeni, Ibrahimoviç ka tre muaj që nuk shihet në dhomat e zhveshjeve në stadium apo klub. Për t’u afruar duhej një përballje mes tij dhe Alegrit që nuk ka ndodhur kurrë. Palët nuk flasin dhe të vazhdosh në këtë mënyrë është e pamundur”, u shpreh gazetarja.
Kolombo shtoi se përplasjet kanë lindur edhe për çështje sportive, megjithëse ato konsiderohen më shumë si pretekst për tensionet e vjetra mes palëve.
“Një nga pikat e përplasjes ishte për portierin e tretë që duhej vendosur në ekip për sezonin e ardhshëm, por ishte thjesht pretekst për të ringjallur tensionin e vjetër”, tha ajo.
Gazetarja italiane zbuloi gjithashtu se Alegri nuk e kishte pritur mirë afrimitetin e Ibrahimoviçit me Antonio Kasanon, ndërsa situata është tensionuar edhe më tej nga kontaktet e suedezit me disa futbollistë të skuadrës.
“Kur Alegri mësoi për kontaktet që Ibra kishte me Kasanon, kjo nuk ndihmoi. Ashtu si nuk ndihmoi fakti që Ibra ka kontaktuar Leaon dhe Fofanën duke u dhënë këshilla taktike të ndryshme nga ato që i ka dhënë trajneri në stërvitje”, përfundoi Kolombo.
Raportimet kanë shtuar dyshimet për një klimë të rënduar brenda Milanit, në një periudhë delikate për klubin kuqezi.
Lini një Përgjigje