TAGS-AT E JAVËS

Sport26 Maj 2026, 19:42

A u helmua qëllimisht Gordon Banks nga CIA për të fituar Brazili Kupën e Botës? Zbulohen prapaskenat e dyshimta të Botërorit 1970

Shkruar nga Pamfleti
A u helmua qëllimisht Gordon Banks nga CIA për të fituar Brazili
gordon banks

E përjavshmja historike britanike “Observer” ka publikuar një hetim që rikthen në vëmendje një nga misteret më të mëdha të futbollit anglez: a ishte sëmundja e Gordon Banks në Botërorin e Meksikës në vitin 1970 rezultat i një helmimi të qëllimshëm?

Shkrimtari dhe gazetari sportiv Gabriel Gatehouse, autor i investigimit, ngre dyshime se portieri legjendar i Anglisë mund të jetë bërë objekt i një operacioni të lidhur me CIA-n amerikane gjatë Kupës së Botës.

Sipas një përmbledhjeje të publikuar nga “La Repubblica”, gjithçka nisi natën e 11 qershorit 1970, në hotelin “Hilton” të Guadalahara-s, ku Gordon Banks ndante dhomën me Bobi Çarlton dhe Keit Njuton. Pas fitores së Anglisë ndaj Çekosllovakisë, lojtarët festuan me një pije në dhomën e tyre.

Vetëm dy ditë më vonë, në prag të çerekfinales kundër Gjermanisë Perëndimore, Banks u sëmur rëndë dhe nuk mundi të luante në ndeshjen që Anglia e humbi 3-2.

Nuk mbaj mend nëse shishja u hap para meje, por e di që gjysmë ore pasi e piva u ndjeva tmerrësisht keq”, shkruante Banks në autobiografinë e tij.

Në atë kohë, Anglia ishte kampionia në fuqi e botës pas triumfit të vitit 1966 dhe konsiderohej një nga favoritët kryesorë së bashku me Brazilin. Megjithatë, atmosfera rreth skuadrës ishte tensionuar që para nisjes së turneut, kur kapiteni Bobi  Mur u arrestua në Kolumbi nën akuzën për vjedhjen e një byzylyku,  një send që nuk u gjet kurrë. Mur këmbënguli gjithmonë se ishte i pafajshëm.

Hetimi i “Observer” sugjeron se këto episode mund të kenë qenë pjesë e një operacioni më të gjerë politik gjatë Luftës së Ftohtë. Në artikull përmenden edhe dokumente britanike të gjetura në arkivat shtetërore në Kew, të cilat flasin për një “komplot të CIA-s së Amerikës Latine kundër Anglisë”.

Një tjetër element që ushqen teorinë është një deklaratë që senatori amerikan Stjuart Symington thuhet t’i ketë bërë Gordon Banks vite më vonë:

Ishte CIA! Ata nuk do ta linin Anglinë të mundte Brazilin, apo jo?”

Sipas investigimit, në vitin 1964 SHBA mbështeti vendosjen e diktaturës ushtarake në Brazil dhe triumfi i kombëtares braziliane në Botërorin e 1970-ës konsiderohej me rëndësi të madhe politike dhe propagandistike. Gatehouse pretendon se ka gjetur edhe një dokument të klasifikuar të CIA-s, të datës 2 shkurt 1971, i cili tregon se agjencia ishte e vetëdijshme për ndikimin politik të Kupës së Botës.

Dyshimet janë shtuar edhe nga dëshmitë e familjes Banks. Robert dhe Uendi Banks, fëmijët e ish-portierit, treguan për “Observer” se pas kthimit nga Meksika, familja u vendos në karantinë për dy javë në shtëpinë e tyre pranë Stoke-on-Trent.

Kishte njerëz që lëviznin nëpër shtëpi me bluza të bardha, duke marrë monstra nga të gjithë ne”, thanë ata.

Megjithatë, deri më sot nuk ekziston asnjë provë përfundimtare që vërteton se Gordon Banks u helmua qëllimisht. Teoria mbetet pjesë e një debati të hapur mes historisë së futbollit, politikës së Luftës së Ftohtë dhe mistereve që vazhdojnë të shoqërojnë Botërorin e vitit 1970.

gordon banks ish-portieri i anglisë botërori 1970 cia

1 Komente

  1. A
    Arben

    Une di qe ne boterorin e 70-tes Anglia u eleminua nga Brazili me rezultatin 1 me 0, me gol te Jairsinios dhe jo nga Gjermania.

    Lini një Përgjigje