Filadelfia po përpiqet të shfrytëzojë Botërorin 2026 për të forcuar imazhin e saj si një nga qytetet më mikpritëse dhe më të përballueshme në Bregun Lindor të Shteteve të Bashkuara. Për gjashtë ndeshjet që do të zhvillohen në stadiumin “Lincoln Financial Field”, i njohur gjatë turneut si “Philadelphia Stadium” për shkak të rregullave të FIFA-s mbi sponsorët, tifozët do të paguajnë vetëm 2.90 dollarë për transportin publik.
Autoritetet lokale dhe organizatorët do të vendosin përvojën e tifozëve në qendër të organizimit. Sipas drejtueses së komitetit organizativ lokal, Meg Kane, ky ka qenë një objektiv afatgjatë i qytetit.
“Gjithmonë kemi dashur të ndërtojmë një eksperiencë që vendos tifozin në plan të parë gjatë Kupës së Botës në Filadelfia”, deklaroi ajo.
Ndërkohë, edhe çmimet e biletave në tregun sekondar kanë shënuar rënie me rreth 16 për qind krahasuar me muajin e kaluar. Hotelet vazhdojnë të mbajnë tarifa relativisht të arsyeshme, ndërsa zonat e tifozëve do të jenë falas gjatë gjithë turneut.
Kritikat për kostot e larta
Në pjesën më të madhe të qyteteve organizatore, Botërori 2026 është shoqëruar me kritika për çmimet e larta të biletave, transportit dhe akomodimit. FIFA synon të maksimizojë të ardhurat, të cilat sipas saj do të përdoren për zhvillimin e futbollit, ndërsa autoritetet lokale kërkojnë të kompensojnë kostot e mëdha të organizimit.
Në disa raste, çmimet janë konsideruar të tepruara. Biletat e trenit nga Nju Jorku drejt stadiumit “MetLife” në Nju Xhersi arritën deri në 150 dollarë, nga vetëm 13 dollarë që kushtojnë zakonisht. Më pas tarifat ranë në 98 dollarë falë ndërhyrjes së sponsorëve. Edhe udhëtimi nga Bostoni drejt “Gillette Stadium” kushton rreth 80 dollarë.
Përballë kritikave, disa qytete kanë nisur të marrin masa për të ulur barrën financiare për tifozët. Në Nju Jork, pas anulimit të një fan zone në “Liberty State Park” për shkak të kostove të larta për taksapaguesit, autoritetet vendore njoftuan krijimin e pesë zonave falas për tifozët në lagje të ndryshme të qytetit.
Qytetet që po investojnë tek imazhi pozitiv
Disa organizatorë kanë zgjedhur të sakrifikojnë një pjesë të fitimeve për të krijuar një atmosferë më miqësore për tifozët.
Në Atlanta, pronari i “Atlanta Falcons”, “Atlanta United FC” dhe stadiumit “Mercedes-Benz Stadium”, Arthur Blank, ka vendosur të mos rrisë çmimet e ushqimeve gjatë Botërorit. Hotdogët do të vazhdojnë të kushtojnë vetëm 2 dollarë, njësoj si gjatë eventeve të zakonshme sportive.
“Tifozët na japin energjinë, kohën, pasionin dhe paratë e tyre. Ne duhet ta respektojmë këtë”, u shpreh Blank.
Edhe Kansas City po investon në transport publik për tifozët, pavarësisht historikut të dobët në këtë sektor. Udhëtimet vajtje-ardhje drejt stadiumit do të kushtojnë vetëm 15 dollarë, ndërsa autobusët nga aeroporti drejt qendrës së qytetit do të jenë falas. Një rrjet rajonal autobusësh që lidh zonat e tifozëve me pika të ndryshme të qytetit do të kushtojë 5 dollarë në ditë ose 50 dollarë për gjithë turneun.
Mes fitimit dhe reputacionit
Sipas organizatorëve, zgjedhja për të mbajtur çmime më të ulëta nuk është vetëm ekonomike, por edhe strategjike për imazhin e qyteteve organizatore.
Filadelfia, që ka siguruar mbështetje nga bizneset lokale dhe fonde publike për organizimin e eventit, po përpiqet të krijojë një model më të përballueshëm për tifozët.
“Të organizosh Botërorin është ndryshe nga çdo event tjetër madhor dhe kjo ndryshon profilin e qytetit”, tha Meg Kane.
Në një turne që pritet të jetë ndër më të kushtueshmit në histori, disa qytete amerikane po përpiqen të tregojnë se është ende e mundur të vendosësh tifozët përpara fitimit maksimal.
Lini një Përgjigje