Trabzonspori duket se po vazhdon strategjinë për të afruar futbolistë shqiptarë në skuadër. Pas paraqitjeve të mira të Ernest Muçit, klubi turk ka rikthyer në fokus edhe emrin e Myrto Uzunit.
Sipas raportimeve të mediave turke, mes tyre edhe “HaberGo”, drejtuesit e Trabzonsporit mbeten të interesuar për transferimin e sulmuesit shqiptar, edhe pse një marrëveshje e mundshme mes palëve dështoi gjatë merkatos së janarit.
Vetë Uzuni ka zbuluar më herët se transferimi drejt klubit turk kishte qenë shumë pranë finalizimit, por negociatat u ndërprenë në momentet e fundit.
“Kisha një ofertë shumë të mirë nga Trabzonspori dhe mund të bashkohesha me Ernest Muçin aty. Ishte i mbyllur si transferim, por gjithçka u prish për dhjetë minuta. Trajneri donte shumë të më merrte në ekip, të gjithë ishin dakord dhe oferta ishte e lartë. Ishte njësoj sa ekipi i Austin më bleu te Granada (12 mln euro)”, është shprehur Uzuni në një prononcim për “FSHF”.
Sulmuesi shqiptar aktualisht është pjesë e Austin FC në MLS, ndërsa kontrata e tij me klubin amerikan është e vlefshme deri në fund të vitit 2027. Kjo situatë bën që edhe drejtuesit e Austin të mbajnë qëndrim të kujdesshëm ndaj çdo oferte të mundshme.
Paraqitjet pozitive të Uzunit gjatë këtij sezoni kanë shtuar interesimin e Trabzonsporit, që e sheh 29-vjeçarin si një alternativë të rëndësishme për repartin ofensiv në sezonin e ardhshëm.
Një transferim i mundshëm në Turqi do të konsiderohej një hap i rëndësishëm në karrierën e futbollistit shqiptar, sidomos duke pasur parasysh se Trabzonspori do të jetë pjesë e garave europiane në edicionin e ardhshëm.
Lini një Përgjigje