Komisioni i Disiplinës pranë FSHF-së ka bërë publike vendimet e marra për incidentet dhe shkeljet e regjistruara gjatë javës në futbollin shqiptar, ku në qendër të vëmendjes ka qenë Vllaznia.
Mbrojtësi i skuadrës shkodrane, Erdenis Gurishta, është dënuar me 6 ndeshje pezullim nga aktiviteti, pas incidentit të ndodhur në sfidën ndaj Egnatias, ku goditi me grusht kapitenin e rrogozhinasve, Albano Aleksi.
“Lojtari i KF Vllaznia, Erdenis Gurishta, për sulm ndaj lojtarëve të ekipit kundërshtar, në bazë të nenit 14/1/h të KDE, dënohet me 6 (gjashtë) ndeshje pezullim nga aktiviteti”, thuhet në vendimin e Komisionit të Disiplinës.
Ndëshkim ka marrë edhe vetë klubi i Vllaznisë për sjelljen e tifozëve gjatë ndeshjes. Sipas Disiplinës, tifozët shkodranë kanë hedhur sende në fushën e lojës dhe kanë përdorur kore fyese ndaj lojtarëve kundërshtarë.
“KF Vllaznia, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushën e lojës dhe duke përdorur kore fyese në drejtim të lojtarëve të ekipit kundërshtar, në bazë të neneve 17/2/b dhe 17/2/e të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 lekë”, njofton Komisioni.
Vendime të tjera janë marrë edhe për ekipet e moshave, ku disa skuadra janë ndëshkuar për braktisje të ndeshjeve.
Dinamo DB U-13, Dinamo U-15 dhe Don Bosko Academy U-15 janë gjobitur secila me nga 100 mijë lekë dhe kanë humbur ndeshjet në tavolinë me rezultatin 3-0, për shkak të braktisjes së sfidave respektive.
Komisioni ka dënuar gjithashtu edhe disa lojtarë të ekipeve të moshave për sjellje të dhunshme dhe josportive.
Lojtari i KS Ali Demi U-13, Klejvi Roshi, është pezulluar me 4 ndeshje për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, ndërsa lojtari i Don Bosko Academy U-15, Olen Murati, është pezulluar me 3 ndeshje për sjellje të dhunshme ndaj kundërshtarëve.
Ndërkohë, Komisioni i Disiplinës ka rrëzuar edhe disa kërkesa për rishikim vendimesh, mes tyre kërkesën e Vllaznia Vajza, AF Triumph dhe dy lojtarëve të Butrintit, Nelson Joseph Pius dhe Franck Mounde Ekango, duke i konsideruar të pabazuara në Kodin e Disiplinës dhe Etikës.
Lini një Përgjigje