Shkëlqimi i organizimit të Kupës së Botës shoqërohet edhe me barrën e rinovimeve të mëdha në 16 stadiumet e shpërndara në Amerikën e Veriut…
Ekipet e ndërtimit në të gjithë kontinentin kanë shpenzuar mijëra orë pune për të transformuar stadiumet, përfshirë 11 arena të NFL-së, në mënyrë që ato të përmbushin kërkesat e FIFA-s përpara turneut global që nis muajin e ardhshëm.
Shkalla e punimeve ka ndryshuar nga një stadium në tjetrin.
Shumica e stadiumeve në SHBA kishin nevojë për një sipërfaqe krejtësisht të re me bar natyral për të zëvendësuar tapetin sintetik që përdoret zakonisht në shumë fusha amerikane. Stadiume të tjera të NFL-së u detyruan të hiqnin vende në tribuna për të krijuar hapësirën e nevojshme për fushën më të madhe të futbollit.
Edhe stadiumet që ishin projektuar që në fillim për të pritur ndeshje ndërkombëtare futbolli — si “Hard Rock Stadium” në Miami dhe “Mercedes-Benz Stadium” në Atlanta, po kalojnë përshtatje të vogla. Për shembull, “Mercedes-Benz Stadium” rikonfiguroi tribunat për të përmirësuar këndet e shikimit dhe për të krijuar më shumë hapësirë për kamerat televizive.
“Disa prej stadiumeve që do të presin ndeshjet nuk ishin projektuar fillimisht për të përmbushur këto kërkesa, ndaj u është dashur të bëjnë ndryshime të brendshme për t’u përgatitur për turneun,” tha Tyler Johnson nga kompania Henderson Engineers, e cila po punon me pesë stadiume amerikane përpara Kupës së Botës.
“Kjo mund të nënkuptojë heqjen e pjesëve të tribunave të poshtme për të zgjeruar sipërfaqen e lojës ose zëvendësimin e tapetit artificial me bar natyral,” shtoi ai.
Shumë prej këtyre ndryshimeve, si fushat me bar natyral, do të jenë të përkohshme. Megjithatë, për shumë stadiume, eventi më i madh sportiv në botë është shfrytëzuar edhe si mundësi për të përmirësuar zonat VIP dhe përvojën e tifozëve.
“Çdo stadium është i ndryshëm,” tha Ryan Sickman, drejtor global i sportit në kompaninë Gensler, e cila po kontribuon në përgatitjet e gjashtë prej 16 stadiumeve të Kupës së Botës.
Ndryshime që kalojnë pa u vënë re
Tribunat e modifikuara dhe fushat e reja do të bien menjëherë në sy të tifozëve. Por shumë kërkesa të FIFA-s nuk do të jenë të dukshme. Për shembull, stadiumet duhet të sigurojnë hyrje dhe dalje të veçanta për VIP-at, në mënyrë që ata të mos përzihen me median apo publikun.
“Ka pasur patjetër përmirësime të nevojshme brenda stadiumeve për të realizuar këto ndarje,” tha Sickman. “Por organizatorët e kanë parë edhe si mundësi për të krijuar ambiente të reja mikpritjeje që mund të shfrytëzohen gjatë Kupës së Botës.”
Me më pak se një muaj deri në nisjen e turneut, shumica e stadiumeve kanë përfunduar transformimet për të përmbushur kërkesat e FIFA-s. Një pjesë e madhe e punës është bërë edhe për arsye sponsorizimi. Disa prej stadiumeve më të njohura në SHBA do të përdorin emra të përkohshëm gjatë Kupës së Botës.
“Gillette Stadium”, shtëpia e ekipit New England Patriots, nuk do të përdorë emrin aktual gjatë turneut. E njëjta gjë vlen për “Arrowhead Stadium” në Kansas City, “SoFi Stadium” në Los Angeles, “Mercedes-Benz Stadium” në Atlanta dhe “Lumen Field” në Seattle.
Të gjitha stadiumet me emra sponsorësh, përfshirë 11 stadiumet amerikane, duhet të përdorin emra neutralë gjatë Kupës së Botës. FIFA e kërkon këtë për të shmangur konfliktet mes sponsorëve të stadiumeve dhe sponsorëve zyrtarë të turneut.
Ky ndryshim kozmetik është i vogël krahasuar me transformimet më të mëdha në tribuna.
Në stadiumin e Kansas City-t, punëtorët hoqën 4.500 ton beton dhe 5.100 jardë kub dhe për të krijuar hapësirën e nevojshme për fushën më të gjerë të futbollit dhe praninë më të madhe të mediave pranë fushës. Zyrtarët thanë se rreth 3.500 vende u zhvendosën gjatë procesit.
Ndërsa kostot dhe puna ndryshojnë nga një stadium në tjetrin, projektet kanë qenë të mëdha. Zyrtarët e “AT&T Stadium” në Teksas deklaruan se vetëm instalimi i fushës së re me bar kërkoi 45 mijë orë pune të kombinuara.
Ndryshimet mund të duken të pazakonta për tifozët. Në Kansas City, fusha nuk do të jetë e vendosur në qendër të stadiumit. Për shkak të kufizimeve strukturore, ajo do të jetë paksa e zhvendosur krahasuar me pozicionin e zakonshëm të fushës së NFL-së.
Megjithatë, kjo është një ndërhyrje më e vogël krahasuar me 17 mijë vendet shtesë që janë shtuar në “BMO Stadium” në Toronto për turneun ndërkombëtar. Kapaciteti shtesë do të jetë i përkohshëm dhe pjesërisht do të mbështetet në struktura të ricikluara nga Lojërat Olimpike Paris 2024.
Vendet e përkohshme kaluan një test praktik gjatë ndeshjes mes Inter Miami dhe Toronto FC, ku luajti edhe Lionel Messi, edhe pse disa tifozë i krahasuan tribunat me “një konstruksion mekanik”.
“Morëm shumë kritika publikisht. Njerëzit thoshin: ‘Çfarë është kjo? Do të shembet, nuk është e sigurt,’” tha Sickman. “Por gjithçka ishte plotësisht në rregull. Është testuar dhe këndet e shikimit ishin të shkëlqyera.”
Bar natyral kundër tapetit sintetik
Ndryshimet në tribuna do të tërheqin vëmendjen e tifozëve, por lojtarët po i kushtojnë vëmendje të veçantë fushave.
Pas vitesh rezistence ndaj barit natyral, pasi tapeti sintetik është më i lehtë për t’u mirëmbajtur dhe më praktik për evente si koncertet, stadiumet e NFL-së investuan në sisteme ndriçimi dhe ujitjeje për Kupën e Botës.
Çdo stadium pjesëmarrës ka instaluar një fushë të re me bar natyral sipas udhëzimeve të detajuara të FIFA-s. “Lincoln Financial Field” në Filadelfia solli bar nga New Jersey. Në Los Angeles, pronarët e “SoFi Stadium” instaluan sistem vaditjeje dhe transportuan barin nga shteti i Uashingtonit me kamionë frigoriferikë.
Drejtuesit e “AT&T Stadium”, shtëpia e Dallas Cowboys, theksuan se instalimi i barit të rritur në Kolorado kërkoi 45 mijë orë pune dhe 15 mijë ton materiale. Aktualisht, stadiumi përdor drita rozë të posaçme të varura nga çatia për të mbajtur barin në gjendje optimale.
“Është hera e parë në botë që përdoren këto drita,” tha Ewan Hodge, drejtues i infrastrukturës së fushave në FIFA. “Janë të gjitha drita LED që i japin energjinë e nevojshme fushës për të vazhduar rritjen.”
Fusha e re me bar ndodhet rreth 60 centimetra mbi nivelin ku zakonisht vendoset tapeti sintetik i Cowboys.
Edhe ky stadium, si shumë arena të NFL-së, hoqi një pjesë të vendeve në tribuna për të krijuar më shumë hapësirë për goditjet nga këndi dhe zonat mediatike.
Lojtarët e NFL-së po e shohin këtë me zili.
Ndërsa pronarët e stadiumeve po vendosin bar natyral për futbollistët e Kupës së Botës, lojtarët e futbollit amerikan vazhdojnë të kërkojnë të njëjtin standard.
“Kur bëhet fjalë për FIFA-n, pronarët e NFL-së shtrojnë tapetin e gjelbër për futbollistët,” tha J.C. Tretter, drejtues i sindikatës së lojtarëve të NFL-së, në podcastin “Not Just Football”. “Ne duam fusha të mira dhe të sigurta.”
“Ju lutem? @NFL,” shkroi në Instagram ylli i Dallas Cowboys, CeeDee Lamb, duke shpërndarë një sondazh ku 92% e lojtarëve të NFL-së preferonin barin natyral ndaj tapetit sintetik.
Megjithatë, lojtarët e NFL-së do të duhet ta negociojnë këtë kërkesë. Pas përfundimit të Kupës së Botës, fushat me bar natyral do të hiqen po aq shpejt sa u vendosën.
“Ne kemi më shumë fleksibilitet në mënyrën si e menaxhojmë sipërfaqen e stadiumit. Nuk besojmë se bari natyral është domosdoshmërisht më i sigurt,” tha pronari i Dallas Cowboys, Jerry Jones, për “Pro Football Talk”. “Tapeti sintetik, si shumë gjëra të tjera, përmirëson ekonominë e organizimit të lojës dhe përfituesit më të mëdhenj janë vetë lojtarët.”
Kosto e lartë për stadiumet
Rikonstruksionet për Kupën e Botës kanë sjellë kosto të konsiderueshme për stadiumet pritëse.
“Estadio Banorte” në Mexico City, i njohur tradicionalisht si “Azteca”, ka shpenzuar 80 milionë dollarë për rinovime. “Lumen Field” në Seattle ka investuar 19,4 milionë dollarë, ndërsa “Arrowhead Stadium” rreth 42,5 milionë dollarë.
“BMO Field” në Toronto kryeson listën me një investim prej 146 milionë dollarësh.
Kupa e Botës 2026 konsiderohet një rast i veçantë mes eventeve të mëdha sportive ndërkombëtare. Ndryshe nga edicionet e mëparshme apo Lojërat Olimpike, këtë herë nuk po ndërtohen stadiume të reja. Zhvilluesit e konsiderojnë këtë një arsye krenarie.
Çdo disa vite qarkullojnë histori për stadiume olimpike apo të Botërorit që mbeten të braktisura pas eventeve për shkak të mungesës së përdorimit.
“Ne jemi pjesë e një projekti që nuk do të kthehet në një ‘elefant të bardhë’ pas një mega-eventi,” tha Sickman. “Toronto kishte nevojë ta çonte BMO Field në 45 mijë vende për të pritur Kupën e Botës. Por nuk ka nevojë për aq vende në ndeshjet normale të Toronto FC. Këto 17 mijë vende shtesë do të hiqen.”
Megjithatë, shumë zhvillues dhe kontraktorë kanë kaluar deri në katër vite duke punuar për një event që kulmon muajin e ardhshëm dhe ende nuk kanë plane të qarta për periudhën pas turneut.
“Fokusi ka qenë pothuajse tërësisht tek eventi i kësaj vere,” tha Johnson. “Diskutimet për atë që do të ndodhë pas turneut janë shumë më të pakta.”
Vendet shtesë në “BMO Field” do të hiqen deri në vjeshtë. Ndërkohë, stadiumet ku janë hequr pjesë të tribunave prej betoni, si në Kansas City dhe Filadelfia, ende nuk kanë vendosur përfundimisht se çfarë do të bëjnë në të ardhmen.
“Ata kanë ende fleksibilitet për të vendosur,” tha Johnson. “Mund të rikthejnë strukturat prej betoni ose mund të vazhdojnë të përdorin tribunat e përkohshme deri në projektin e ardhshëm.”
Kupa e Botës nis më 11 qershor. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje