Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ishte i ftuar në emisionin “Ndryshe” në “Top Albania Radio”, ku foli për trajnerin e ri të Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, objektivat e skuadrës kuqezi, por edhe për pagën e teknikut italian.
Duka u shpreh optimist për mënyrën e lojës që pritet të aplikojë Maran, duke theksuar se Kombëtarja do të ketë një stil më ofensiv dhe më tërheqës në fushë.
“Kam parë ndeshje dhe prononcime të Maran, mentalitetin e tij. Rezultati jo gjithnjë varet nga loja, por për një gjë jam i bindur, se me këtë trajner Shqipëria do të luajë më mirë. Ekipet që ka drejtuar Maran kanë qenë agresive, sulmuese dhe jo ai mentaliteti italian. Ekipi ynë në këtë moment është në gjendje të luajë në sulm dhe të bëjë lojë. Këtë duam të bëjmë ne”, deklaroi Duka.
Kreu i FSHF-së e ka marrë me tallje zgjedhjen e trajnerit të ri të kombëtares, teksa u pyet për kriteret që duhet të plotësojë një trajner i Kombëtares.
“Ka kritere, s’duhet të ketë flokë”, tha ai me humor, duke shtuar: “E mira është të jetë pa flokë, si ky që kemi. Por edhe ai që iku ishte me flokë dhe bëri mirë.”
Duka foli gjithashtu për profilin profesional të Maran, duke e cilësuar si një trajner që është rritur gradualisht në karrierë.
“Trajnerët, nëse do t’i ndanim, janë ata që e kanë nisur nga zero dhe janë rritur, dhe ata që kanë qenë futbollistë të mirë dhe e kanë nisur nga lart. Ky i yni është versioni i parë”, u shpreh ai.
Sa i përket objektivave, presidenti i FSHF-së theksoi se synimi është vendi i parë në Ligës së Kombeve dhe kualifikimi në “EURO 2028”.
“Në Ligën e Kombeve duhet ta mbyllim në vendin e parë dhe të kualifikohemi në EURO 2028”, tha Duka.
Ai sqaroi edhe procesin e përzgjedhjes së trajnerit të ri, duke bërë të ditur se Maran ishte pjesë e një liste të shkurtër kandidatësh.
“Kur kërkon trajner, të vijnë vetë propozimet dhe bën një listë të shkurtër. Një nga ata ka qenë edhe trajneri që kemi emëruar. Nuk e njihja, e kam takuar vetëm dy herë para emërimit”, tregoi Duka, duke shtuar se trajnerët shqiptarë nuk janë përjashtuar, por federata ka preferuar eksperiencë nga “shkollat më të mira të futbollit”.
Në fund, Duka komentoi edhe zërat për pagën e trajnerit të ri, duke mohuar shifrat e përfolura në media.
“Paga e Maran është e njëjtë me Silvinjon, mbase ndonjë përqindje më shumë. Ka shumë abuzime për pagat, asnjëri prej të dyve nuk ka marrë më shumë se 1 milion euro”, deklaroi presidenti i FSHF-së.
Lini një Përgjigje