TAGS-AT E JAVËS

Sport27 Maj 2026, 16:47

“Komandoj unë, jam bosi”, deklarata e bujshme që nuk u mor seriozisht te Milani; pse Tare u bë ‘armik’ me të vetmin që nuk duhej

Shkruar nga Pamfleti
“Komandoj unë, jam bosi”, deklarata e bujshme që nuk u mor
tare-ibra-furlani-kardinale

Igli Tare është larguar nga Milani, bashkë me disa prej drejtuesve të tjerë dhe trajnerin Masimiliano Alegri, në një moment të trazuar për klubin kuqezi. Sipas mediave italiane, vendimi është marrë nga pronari Xherri Kardinale, ndërsa i vetmi që ka ruajtur pozitat e tij mbetet Zlatan Ibrahimoviç.

Suedezi, i cili mban rolin e këshilltarit të Kardinales, konsiderohet si një nga figurat më me ndikim në klub dhe pritet të ketë rol kyç në ndërtimin e Milanit të ri.

Mediat italiane raportojnë se marrëdhënia mes Ibrahimoviçit dhe Tares nuk ka qenë e mirë, duke lënë të kuptohet se drejtori shqiptar kishte humbur mbështetjen e një prej njerëzve më të fuqishëm në ambientin kuqezi.

Në këtë kontekst është rikthyer në vëmendje edhe një deklaratë e bërë nga Ibrahimoviçi rreth dy vite më parë. Gjatë një bisede me legjendën kroate Zvonimir Boban, para ndeshjes së Champions League mes Milanit dhe Liverpulit, suedezi ishte pyetur për rolin e tij në klub.

Komandoj unë, jam bosi dhe të gjithë të tjerët punojnë për mua”, ishte përgjigjur Ibrahimoviç.

Ndërkohë, raportimet e fundit nga Italia flasin për një klimë të tensionuar brenda klubit dhe përplasje të forta mes figurave kryesore të Milanit. Në qendër të vëmendjes është vendosur konflikti mes Masimiliano Alegrit dhe Zlatan Ibrahimoviçit.

Gazetarja e “Corriere della Sera”, Monika Kolombo, e cila prej vitesh ndjek zhvillimet te Milani, ka zbuluar detaje mbi marrëdhënien e acaruar mes tyre.

Krisja mes Alegrit dhe Ibrahimoviçit, që i ka rrënjët shumë pas në kohë, kishte ndodhur në një restorant në praninë e Furlanit dhe Tares, me këtë të fundit që është detyruar të ndajë fizikisht trajnerin dhe suedezin”, deklaroi Kolombo.

Sipas saj, marrëdhëniet mes dy figurave kanë qenë pothuajse të ndërprera prej muajsh.

Me sa jam në dijeni, Ibrahimoviç ka tre muaj që nuk shihet në dhomat e zhveshjeve në stadium apo klub. Për t’u afruar duhej një përballje mes tij dhe Alegrit që nuk ka ndodhur kurrë. Palët nuk flasin dhe të vazhdosh në këtë mënyrë është e pamundur”, u shpreh gazetarja italiane.

Kolombo shtoi se tensionet janë reflektuar edhe në çështje sportive të skuadrës.

Një nga pikat e përplasjes ishte për portierin e tretë që duhej vendosur në ekip për sezonin e ardhshëm, por ishte thjesht pretekst për të ringjallur tensionin e vjetër”, tha ajo.

Sipas gazetares, situata është rënduar më tej edhe nga raportet e Ibrahimoviçit me Antonio Kasanon, si dhe nga kontaktet direkte të suedezit me disa lojtarë të ekipit.

Kur Alegri mësoi për kontaktet që Ibra kishte me Kasanon, kjo nuk ndihmoi. Ashtu si nuk ndihmoi fakti që Ibra ka kontaktuar Leaon dhe Fofanën duke u dhënë këshilla taktike të ndryshme nga ato që i ka dhënë trajneri në stërvitje”, përfundoi Kolombo.

Raportimet e mediave italiane kanë shtuar dyshimet për një situatë të tensionuar në ambientin e Milanit, në një periudhë delikate për klubin kuqezi.

 

igli tare zlatan ibrahimoviç milan

Lini një Përgjigje