
Masimo Morati është shtruar në spital në terapi intensive në spital, për shkak të pneumonisë.
Ish-Presidenti i skuadrës së Interit nuk është në gjendje kritike, por situata mbetet serioze, pasi mjekët e kanë intubuar për shkak të vështirësisë në frymëmarrje, raportojnë mediat italiane.
Morati mbushi 80 vjeç në maj të këtij viti, dhe në festën e datëlindjes së tij morën pjesë pothuajse të gjithë ish-lojtarët e Interit, duke filluar nga Ronaldo, Vieri, Rekoba, Pirlo dhe heronjtë e tripletës së vitit 2010.
Pas epokës së famshme të viteve ‘60 me "Grande Inter" të udhëhequr nga babai i tij Anxhelo Morati, Masimo Morati bleu Interin në vitin 1995 nga Ernesto Pelegrini, i cili u nda nga jeta së fundmi.
Ai arriti ta çonte klubin në një sukses historik në vitin 2010, duke fituar në të njëjtin sezon Champions League, Serinë A dhe Kupën e Italisë, një arritje që asnjë klub italian nuk e kishte realizuar më parë.
Gjatë presidencës së tij, Interi fitoi gjithsej 16 trofe.
Lini një Përgjigje