TAGS-AT E JAVËS

Sport 7 Gusht 2025, 21:13

Harry Kane shkëlqen kundër ish-ekipit të tij, Bajerni i Mynihut mposht me “poker” Tottenham-in në miqësore

Shkruar nga Pamfleti

Harry Kane shkëlqen kundër ish-ekipit të tij, Bajerni i Mynihut

Bajerni i Mynihut dha një sinjal të qartë para fillimit të sezonit të ri, duke mposhtur me rezultatin bindës 4-0 kampionët e Ligës së Europës, Totenhemin, në një ndeshje miqësore të zhvilluar në “Allianz Arena”.

Ndonëse ishte një përballje përgatitore, atmosfera ishte e ngrohtë dhe tifozët bavarezë kishin mbushur shkallët e stadiumit për të parë ekipin e tyre. Bajerni nuk zhgënjeu: që në minutat e para, ekipi vendosi ritmin e ndeshjes.

Goli i parë erdhi në minutën e 12. Herri Kejn përfitoi nga një pasim i gjatë i Majkëll Olize, kontrolloi bukur dhe dërgoi topin në këndin e poshtëm të majtë, duke tundur rrjetën e ish-ekipit të tij.

Vetëm pak minuta më vonë, Bajerni fitoi një penallti pas një faulli të Zhoao Palinjas ndaj Josip Stanisiç, por Kejn gaboi nga pika e bardhë duke rrëshqitur dhe dërguar topin mbi tra.

Pas një pjese të parë të balancuar në fundin e saj, Bajerni riktheu dominimin në pjesën e dytë. Olize dhe Kejn u kombinuan bukur në minutën e 50, por traversa i mohoi golin e dytë sulmuesit anglez. Portieri Vikario bëri disa pritje të rëndësishme për Totenhemin, por nuk mundi të ndalte gjithçka.

Në minutën e 60, Kingsli Koman shënoi një gol të bukur pasi u shërbye nga Konrad Laimer, i cili fitoi topin dhe tregoi pjekuri duke asistuar në vend që të gjuante vetë. Ishte vetëm fillimi i spektaklit.

Me ndryshimet e shumta të trajnerit Kompani, në minutat e fundit në skenë dolën të rinjtë. 17-vjeçari Lenart Karl shënoi një gol të bukur pas një depërtimi magjik të Luis Díaz në krahun e majtë. Vetëm gjashtë minuta më pas, edhe një tjetër talent, Jonah Kusi-Asare, shënoi një perlë nga krahu i djathtë, duke vulosur rezultatin përfundimtar në 4-0.

bajern mynih totenhem ndeshja miqësore

Lini një Përgjigje