TAGS-AT E JAVËS

Sport 7 Gusht 2025, 19:32

Ish-futbollisti i Hajdukut paralajmëron ekipin kroat para ndeshjes me Dinamon: Ju pret një klub historik dhe trajner me përvojë

Shkruar nga Pamfleti

Ish-futbollisti i Hajdukut paralajmëron ekipin kroat para ndeshjes me

Ardijan Kozniku, ish-sulmuesi i Hajdukut të Splitit që prej vitesh punon si trajner, analizon për “sportklub.hr” fillimin e sezonit të “Bardhebluve” dhe paralajmëron përballjet europiane kundër Dinamos së Tiranës. Pas kualifikimit dramatik kundër Zires dhe vazhdimit të garës në Europë, skuadrën e Splitit e pret një sfidë shumë e vështirë ndaj Dinamos së Tiranës, një shumë herë kampione në Shqipëri dhe klub me traditë të pasur. Kozniku zbulon se çfarë duhet të ndryshojë Hajduku për të kaluar më tej në Europë, por edhe për të ruajtur ambiciet e larta në kampionatin vendas.

Hajduku fitoi ndeshjen e parë ndaj Istrës 2-1, eliminoi me vështirësi Ziren dhe tani i pret një përballje e dyfishtë me Dinamon e Tiranës (7 dhe 14 gusht). Si e komentoni fillimin e sezonit të Hajdukut?

Fillimi i HNL-it për Hajdukun ishte me një fitore të pritshme ndaj Istrës. Nuk ishte një ndeshje e lehtë, por morën tri pikët dhe kanë të njëjtin hap me rivalët në start. Dinamo dhe Rijeka morën tri pikët, prandaj mendoj se na pret një kampionat shumë, shumë interesant.

Çfarë mund të presin tifozët e Hajdukut në 10 ditët e ardhshme në lidhje me Dinamon e Tiranës?

Dinamo Tirana është një klub me shumë traditë në Shqipëri, shumë herë kampion dhe fitues i Kupës. Është e vërtetë që prej kohësh nuk kanë fituar kampionatin, por janë fituesit aktualë të Kupës. Mund të them që në Shqipëri janë diçka e ngjashme me Hajdukun në Kroaci. Kanë marrë investitorë të rinj, gjë që ndjehet në ambiciet e klubit. Ia vlen të përmendet se Eduard Abazi kaloi nga Dinamo Tirana te Hajduku në fillim të viteve ’90 dhe disa tifozë me siguri e kujtojnë.

Trajneri i Dinamos së Tiranës është i njohur dhe gjithashtu mbahet mend nga tifozët e Dinamos së Zagrebit?

Dinamon e Tiranës e drejton Ilir Daja, një trajner me shumë përvojë që më ka lënë mbresa. Në Kosovë fitoi tre herë rresht kampionatin me Ballkanin, ndërsa qetësia dhe disiplina e tij duken qartë në lojën e skuadrës. Kur drejtonte Ballkanin, para dy vitesh fitoi 2-0 ndaj Dinamos së Zagrebit në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, dhe kjo tregon diçka. Me Dinamon e Tiranës sezonin e kaluar fitoi Kupën, pra nuk duhet nënvlerësuar asnjë kundërshtar.

Keni ndonjë mesazh për lojtarët dhe të gjithë ata që janë te Hajduku para këtyre sfidave europiane?

Mesazhi im për lojtarët është: Pse keni ardhur te Hajduku? Tregoni dhe dëshmoni se kush jeni dhe pse e vishni fanelën e bardhë. Nëse nuk jepni maksimumin, atëherë nuk jeni aty ku duhet. Vetëm me fitore, dëshirë dhe përkushtim do të fitoni publikun, qytetin dhe gjithçka përreth. Nga Hajduku kam marrë shumë: afirmimin si lojtar, shtetësinë kroate, kam bërë shumë miq dhe më e rëndësishmja, ndjenjën e përkatësisë. Prandaj, mos u ndalni vetëm me një ndeshje apo një gol, nuk jetohet nga lavdia e kaluar, duhet gjithmonë ta konfirmoni veten. Uroj të gjitha klubet, veçanërisht Hajdukun, për një rrugëtim sa më të gjatë dhe të suksesshëm në Evropë. Por e përsëris, përballë Hajdukut është një kundërshtar i vështirë. Tradita detyron, Dinamo ka historinë e saj në Shqipëri, ashtu si Hajduku në Kroaci dhe në ish-Jugosllavi. Do të duhet të tregojnë gjithçka që dinë dhe mundin në ato 180 minuta.

ardijan kozniku ish-futbollisti i hajdukut të splitit ndeshja me dinamon liga e konferencës

Lini një Përgjigje