
Federata Shqiptare e Futbollit ka publikuar çmimet e biletave para “Final Four”, ndërsa janë gjashtë ndeshje që do të luhen në “Air Albania”. Çudia është te fakti që biletat po shiten edhe për sektorët prapa porte, pavarësisht se akoma nuk mund të përcaktohet ndarja e tribunave për tifozeritë.
Në edicionin e kaluar, biletat dolën në shitje pasi njiheshin ekipet pjesëmarrëse në Final Four. Ndryshim nga edicioni i kaluar ku finalja mund të ndiqej me biletën më të lirë 1000 lekë, është se në të tri javët që do të luhen ka bileta edhe me 500 lekë të reja. FSHF ka ulur kështu çmimet, ndërsa ndeshjet do të luhen nga data 16 maj dhe deri më 31 maj.
Njoftimi i FSHF-së:
Federata e Futbollit njofton se duke nisur nga sot, të gjithë futbolldashësit e kampionatit shqiptar “Abissnet Superiore” do të kenë mundësi të blejnë biletat për ndeshjet e “Final Four”.
Katër skuadrat më të mira të këtij sezoni futbollistik do të përballen mes tyre në gjashtë ndeshje, për të përcaktuar ekipin kampion të sezonit. Të gjitha takimet do të zhvillohen në stadiumin “Air Albania”.
Çmimet për ndeshjet e raundit të parë dhe të dytë, që përkojnë me katër ndeshjet e para më 16, 17, 23 dhe 24 maj, nisin nga 500 lekë në tribunat e kategorisë 3 dhe 4. Biletat në tribunat e kategorisë 2 kushtojnë 1000 lekë, ndërsa në kategorinë 1 çmimi është 1500 lekë.
Biletat në sektorin Premium kushtojnë 2000 lekë, në tribunën VIP 3000 lekë, ndërsa në sektorin VVIP 5000 lekë.
Për raundin e tretë, që përfshin dy ndeshjet e fundit më 29 dhe 31 maj, çmimet nisin nga 500 lekë në tribunat e kategorisë 3 dhe 4. Në tribunat e kategorisë 2 çmimi është 1500 lekë, ndërsa në kategorinë 1 është 2000 lekë.
Biletat në sektorin Premium kushtojnë 2500 lekë, në tribunën VIP 3500 lekë, ndërsa në sektorin VVIP 5500 lekë.
Kalendari i Final Four:
Vendi 1 vs Vendi 4, 16.05.2026, ora 19:00
Vendi 2 vs Vendi 3, 17.05.2026, ora 19:00
Vendi 1 vs Vendi 3, 23.05.2026, ora 19:00
Vendi 2 vs Vendi 4, 24.05.2026, ora 19:00
Vendi 3 vs Vendi 4, 29.05.2026, ora 19:00
Vendi 1 vs Vendi 2, 31.05.2026, ora 19:00
Biletat për ndeshjet e “Final Four” mund të blihen online në platformën ebileta.al.
Lini një Përgjigje