Dinamo mund të kualifikohet në raundin e dytë të Ligës së Konferencës pa zbritur fare në fushë, pasi kundërshtari i tyre në raundin e parë, Astana e Kazakistanit, rrezikon të përjashtohet nga garat e UEFA-s për shkak të situatës financiare.
Lajmi është publikuar fillimisht nga mediat kazake, të cilat raportojnë se klubi po përballet me vështirësi të mëdha ekonomike. Sipas tyre, Astana ka humbur disa nga lojtarët kryesorë gjatë muajve të fundit dhe ekzistojnë dyshime nëse ka fondet e nevojshme për të përballuar pjesëmarrjen në sfidën ndaj Dinamos. Madje, në raportimet mediatike është aluduar se klubi nuk disponon financat e mjaftueshme as për grumbullimin e ekipit dhe udhëtimin drejt Shqipërisë.
Pas këtyre raportimeve ka reaguar vetë Astana, përmes një deklarate zyrtare të publikuar në rrjetet sociale. Klubi ka mohuar kategorikisht se rreziku lidhet me mungesën e fondeve për udhëtimin, duke sqaruar se të gjitha shpenzimet për transfertën, akomodimin dhe pjesëmarrjen në ndeshje janë mbuluar.
“Në lidhje me përhapjen e informacionit të rremë në media në lidhje me një kërcënim të mundshëm për pjesëmarrjen e FC Astana në garat europiane, ne e konsiderojmë të nevojshme të bëjmë një sqarim.
Raportet se pjesëmarrja e klubit në garat europiane është potencialisht e kërcënuar nga mungesa e fondeve për udhëtimin e ekipit në Shqipëri janë të pavërteta. Përgatitjet për ndeshjen po vazhdojnë si zakonisht dhe të gjitha shpenzimet që lidhen me udhëtimin, akomodimin dhe pjesëmarrjen e ekipit janë mbuluar plotësisht.
Arsyeja lidhet vetëm me procesin tremujor të monitorimit financiar të UEFA-s, gjatë të cilit klubi konfirmon se nuk ka detyrime financiare të papaguara ndaj anëtarëve të ekipit të tij. Klubi aktualisht po punon për ta përfunduar me sukses këtë proces.
U kërkojmë tifozëve dhe përfaqësuesve të medias të mbështeten ekskluzivisht në informacionin zyrtar të publikuar në faqet zyrtare të internetit të FC Astana”, shkruan klubi kazak, duke lënë në pikëpyetje edhe pjesëmarrjen në Kupat e Evropës.
View this post on Instagram
Megjithatë, formulimi i deklaratës lë të kuptohet se procesi i shlyerjes së detyrimeve financiare ende nuk është mbyllur. Nëse Astana nuk arrin të përmbushë kërkesat e UEFA-s brenda afateve të përcaktuara, pjesëmarrja e saj në garat europiane mund të vihet në diskutim, çka do t'i hapte rrugën Dinamos për të kaluar automatikisht në turin e dytë të kompeticionit.
Lini një Përgjigje