Eliminimi i Gjermanisë nga Kupa e Botës, pas humbjes ndaj Paraguait, shënoi fundin e një epoke për kombëtaren gjermane. Pas ndeshjes, portieri legjendar Manuel Nojer konfirmoi se kjo ishte ndeshja e tij e fundit me fanellën e Gjermanisë, duke i dhënë fund një karriere të jashtëzakonshme në arenën ndërkombëtare.
Në një intervistë për “MagentaTV”, Nojer nuk e fshehu zhgënjimin kur u pyet nëse mund ta imagjinonte veten pranë ekipit gjatë procesit të rindërtimit.
“Jo, është jashtëzakonisht e hidhur ta përfundojmë kështu.”
Portieri theksoi se skuadra kishte mundësinë për të bërë më shumë në këtë ndeshje.
“Ne kishim gjithçka në duart tona dhe besoj se kishim lojtarët e duhur për ta bërë më mirë në fushë, por si ekip thjesht nuk arritëm të luanim futboll më të mirë sot.”
Nojer zbuloi edhe atmosferën që mbizotëroi në dhomat e zhveshjes pas eliminimit.
“Trajneri na tha disa fjalë, por përndryshe mbizotëron heshtja. Të gjithë janë të trishtuar për eliminimin.”
Duke folur për nivelin aktual të kombëtares gjermane në futbollin ndërkombëtar, portieri i Bajernit pranoi se ekipi nuk është më në të njëjtin nivel me fuqitë kryesore të futbollit evropian.
“Nëse doni të mateni me skuadra si Franca ose Anglia, atëherë ndoshta jemi një shkallë më poshtë.”
Me largimin e Manuel Nojerit, mbyllet një kapitull i rëndësishëm në historinë e kombëtares gjermane. Kampion bote me Gjermaninë në vitin 2014 dhe protagonist në pesë edicione të Kupës së Botës, ai largohet nga skena ndërkombëtare si një nga portierët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, edhe pse fundi i rrugëtimit erdhi me një zhgënjim të madh.
Lini një Përgjigje