
Mançester Junajtid dhe Mançester Siti zhvilluan një derbi intensiv sot në “Old Trafford”, me emocione që nisën që në pjesën e parë. “Djajtë e Kuq” e gjetën dy herë rrugën e rrjetës me Amad Dialo dhe Bruno Fernandes, por të dy golat u anuluan për pozicion jashtë loje, duke e lënë rezultatin të pandryshuar, 0-0, në fund të 45 minutave të para, pavarësisht epërsisë në raste dhe lojë të vendasve.
Ndeshja shënoi edhe debutimin e Majkëll Kerrik në pankinën e Junajtid, përballë Sitit në formë të qendrueshme, pa humbje në kampionat që nga fundi i nëntorit dhe i konsoliduar në vendin e dytë si rivali kryesor i Arsenalit.
Në pjesën e dytë, në minutën e 57, Donaruma ishte protagonist absolut me një “mrekulli”, duke ndalur Dialo dhe dy herë Kasemiron. Italiani u tregua i pakalueshëm edhe në minutën e 63 ndaj Mbeumo. Sidoqoftë, në minutën e 65, sulmuesi shfrytëzoi një kundërsulm të shpejtë të orkestruar nga Bruno Fernandes dhe shënoi për 1-0, këtë herë i pandalshëm nga Donaruma.
Në minutën e 76 erdhi goli i dytë për vendësit. Kunja krosoi nga fundorja dhe Dorgu realizoi me të djathtën golin e tij të dytë me fanelën e Mançester Junajtid, duke e përforcuar fitoren 2-0 dhe ndezur festën në “Old Trafford”.
Goli i tretë erdhi në minutën e dytë të kohës shtesë, në minutën e 92 me autor Maunt, i cili shfrytëzoi zhbilancimin e “qytetarëve” në prapavijë, të gjithë të orientuar për të shënuar, por pa ia dalë dot. Kundërsulmi i “Djajve të Kuq” rezultoi vrastar për herë të tretë në këtë derbi, por kësaj here u anulua nga VAR. Pra, 3 gola të anuluar në total për vendësit në këtë derbi.
Pas kësaj disfate, skuadra e Guardiolës ruan vendin e dytë, me 43 pikë, aq sa ka edhe Aston Vila, pa e luajtur ende ndeshjen e javës së 22-të. “Djajtë e Kuq” pozicionohen në vendin e 4, me 35 pikë, por mund të parakalohen nga Liverpuli nëse fiton ndaj Bërnlit.
Lini një Përgjigje