
Ballkani i drejtuar nga Ilir Daja ka vendosur diktatin e plotë mbi futbollin kosovar në këtë edicion, pasi siguroi titullin kampion të radhës ka bërë të vetën edhe Kupën e Kosovës. Skuadra e Suharekës mposhti me penallti Prishtinën në finale, duke dënuar këtë të fundit me një tjetër sezon pa marrë pjesë në kompeticionet europiane.
Hamidi i dha avantazhin Ballkanit në pjesën e parë të ndeshjes, ndërsa e dyta nisi me vonesë, pasi tifozët e Prishtinës goditën me sende në kokë portierin Enea Koliçi. Meriton Korenica shënoi më pas golin e dytë dhe ndeshja dukej e mbyllur.
Por Albin Krasniqi me dy golat e tij në minutat 78 dhe 82 barazoi rezultatin, duke bërë që ndeshja të shkonte me shtesa. Aty nuk kishte gola të tjerë dhe pas 30 minutave, fatin e sfidës e vendosën penalltitë.
Lojtarët e Ballkanit u treguan më të saktë duke realizuar goditjet e tyre, teksa Albin Krasniqi dhe Ardian Muja gabuan gjuajtjet e tyre, duke i dhuruar suksesin 4-2 nga pika e bardhë Ballkanit.
Lini një Përgjigje