
Ish-ylli i NBA-së, Rajon Rondo, është arrestuar në Indiana të dielën për posedim të paligjshëm të armëve të zjarrit dhe të drogës.
Është gazetari i njohur i NBA-së, Adrian Vojnarovski, i cili ka dhënë lajmin mbi arrestimin e Rondos.
“Ai u ndalua për shkelje të trafikut dhe oficeri ndjeu erë kanabisi, gjë që çoi në kontrollin e makinës në të cilën u gjet një armë, kanabis për përdorim personal dhe mjete droge”, tha një zëdhënës i policisë.
Rondo u dërgua në burg, pas së cilës ai menjëherë kërkoi lirim me kusht dhe të gjitha akuzat ndaj tij janë kundërvajtje.
Në një karrierë të pasur në NBA që zgjati 16-vjet, Rondo luajti për Boston, Dallas, Sakramento, Çikago, Nju Orlins, Los Anxhelos Lejkërs, Atlanta, LA Klipers dhe Kleveland, ku angazhimi i tij i fundit në NBA ishte në vitin 2022.
Ai ishte dy herë kampion i NBA-së, mori pjesë katër herë në ndeshjen All-Star dhe mori çmime të shumta individuale si asistuesi më i mirë, vjedhësi i topave dhe disa tjera.
Kujtojmë se në vitin 2022 gruaja e tij e ka denoncuar pasi ai e kërcënoi se do ta vriste dhe në atë kohë ai kishte edhe një armë dhe po thyente gjithçka përreth shtëpisë.
Lini një Përgjigje