
Eduart Rroca me skuadër të re. 30-vjeçari është larguar nga Istanbulspori skuadër ku mbante shiritin e kapitenit. Mesfushori i avancuar është huazuar te Manisa FK, ekip që garon në divizionin e dytë të futbollit turk.
“Jam në vendin dhe ekipin e duhur për të realizuar synimet e mia. Dua të jem i suksesshëm te Manisa. Luaj prej vitesh në Turqi.
Ligën e njoh shumë mirë, pasi kam luajtur më parë në këtë kampionat. Mora informacione për Manisa FK, klub i bukur që ka objektiva dhe një projekt që më tërhoqi.
Dua të jap kontributin tim tek ekipi i ri, jam gati të jap më të mirën te Manisa”, u shpreh Rroca pas prezantimit.
Në Shqipëri u aktivizua me skuadra si Kukësi, Luftëtari, Tërbuni dhe Egnatia, ndërkohë që provoi edhe një aventurë në Zvicër 11-vite më parë.
Rroca aktivizohet në futbollin turk prej shtatorit të vitit 2020. Kur u transferua nga verilindorët e Kukësit tek Istanbulspori.
19 gola ka realizuar gjatë aventurës me skuadrën nga Stambolli. Tani shpreson të ndihmojë Manisën në realizimin e objektivave sezonalë.
Rroca bashkohet përsëri me Jetmir Topallin. Së bashku kanë luajtur tek Istanbulspori, tashmë do të jenë përsëri shokë skuadre te Manisa.
Lini një Përgjigje