
Një skandal ka shpërthyer në radhët e Vetëvendosjes në Kosovë.
Media “Nacionale” në Kosovë ka publikuar një audio-përgjim të shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, që komunikon me zyrtarin e lartë të Listës Serbe, Slavko Simiç.
Në bisedë përmenden kontaktet e Kusari-Lila me Milan Radojçiç, person në kërkim nga autoritetet e Kosovës dhe në listën e zezë amerikane e britanike.
Zyrtarja e Vetëvendosjes ka reaguar duke thënë se nuk ka pasur asnjëherë komunikim me nënkryetarin e Listës Serbe, Radojçiç, dhe se ka refuzuar të flasë me të.
Ajo shtoi se komunikimi i vetëm me anëtarë të Listës Serbe ka qenë me Igor dhe Sllavko Simiç, për tri projektligje. Por kaq ka mjaftuar dhe opozita ka nisur me sulmet.
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri nga foltorja e Kuvendit kërkoi nisjen e hetimeve për përgjimin.
“I bëjë thirrje Prokurorisë së Shtetit që të ndërmarrë hapa në raport me të gjithë ata njerëz që janë në komunikim me njerëz që janë ndjekje nga Prokuroria e Shtetit dhe listën e zezë të SHBA-së. Sot me gjasë po fillon një etapë e re e bashkëpunimit të Lëvizjes Vetëvendosje me Milan Radojçiç”, tha ai.
Kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka theksuar se kjo që ka ndodhur është serioze dhe dorëheqja e Qeverisë është më e paktë që mund të bëhet.
“Përgjimet e sotme janë shumë serioze, jo se është publikuar kjo bisedë por sepse aty shpërfaqet një marrëveshje që ka qenë marrëveshje nga dita e parë e kësaj qeverie. E dyta ajo që duhet fillimisht t trajtojmë serioz është se temat që janë diskutuar në këtë takim janë të interesit shtetërore dhe shkeljet janë flagrante si në aspektin e ligjit dhe moralit”, ka deklaruar Tahiri.
Lini një Përgjigje