TAGS-AT E JAVËS

Kosova16 Prill 2026, 15:24

Plani për Rritjen Ekonomike, BE-ja nis parafinancimin 61 mln euro për Kosovën

Shkruar nga Pamfleti

Plani për Rritjen Ekonomike, BE-ja nis parafinancimin 61 mln euro për

Pas ratifikimit në Kuvendin e Kosova të marrëveshjeve që lidhen me Planin e Bashkimi Evropian për Rritje Ekonomike dhe dorëzimit të dokumentacionit nga Qeveria, Komisioni Evropian ka nisur transferimin e parafinancimit prej 61.8 milionë eurosh për Kosovën përmes Instrumentit për Reforma dhe Rritje. Ky financim përbën 7për qind të shumës totale prej 882.6 milionë eurosh në dispozicion deri në fund të vitit 2027.

Sipas Zyrës së Kryeministrit, këto mjete do të mbështesin zbatimin e Agjendës së Reformave dhe projekte infrastrukturore të përkrahura nga Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor. Nga shuma totale, 28.74 milionë euro janë transferuar si kredi në buxhetin e Kosovës, ndërsa pjesa tjetër prej 33.04 milionë eurosh (17.73 milionë grante dhe 15.31 milionë kredi) do të kanalizohet përmes WBIF-it.

Kosova është zotuar të realizojë 111 hapa reformash në fusha si sundimi i ligjit, qeverisja, zhvillimi ekonomik, tranzicioni i gjelbër dhe digjital, si dhe kapitali njerëzor. Secili hap është i lidhur me një alokim të caktuar financiar.

Disbursimi i fondeve do të bëhet në mënyrë progresive, në varësi të përmbushjes së reformave të dakorduara. Në rast të mosrealizimit të tyre brenda afateve, mjetet përkatëse nuk do të lëshohen. Afati i parë përfshin 13 hapa reformash me vlerë 90.8 milionë euro, që pritet të përmbushen deri më 30 qershor 2026. Ndërkohë, deri në fund të vitit parashihet realizimi i 27 hapave të tjerë me vlerë 165.9 milionë euro.

Shefja në detyrë e BE-së në Kosovë, Eva Palatova, theksoi se BE-ja mbështet Kosovën në procesin e integrimit, duke e konsideruar Planin për Rritje Ekonomike si një mundësi për përshpejtimin e reformave dhe afrimin e ekonomisë me tregun e përbashkët evropian.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh se vendi është i përkushtuar për zbatimin në kohë të Agjendës së Reformave dhe për shfrytëzimin maksimal të mundësive që ofron ky plan, duke pranuar se megjithëse ka pasur vonesa, përmbushja e objektivave mbetet e arritshme.

Bashkimi Evropian mbetet donatori më i madh i Kosovës, me mbi 3.7 miliardë euro grante që nga viti 1999 dhe 421 milionë euro shtesë aktualisht në dispozicion përmes Instrumentit të Para-anëtarësimit (IPA). Përmes Planit për Rritje Ekonomike, BE-ja vazhdon të mbështesë reformat dhe përparimin e Kosovës drejt integrimit evropian.

kosova be

Lini një Përgjigje