Tre anëtarë të një familje kanë ndërruar jetë nga asfiksimi, pasi një zjarr përfshiu banesën e tyre në Malishevë.
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e sotme në Malishevë, ku tre persona kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri që përfshiu një banesë.
Sipas informacioneve paraprake, raportohet se zjarri dyshohet të jetë shkaktuar nga shpërthimi i një bombole gazi, duke rezultuar fatal për dy fëmijë dhe babanë e tyre. Mediat raportojnë se babai dhe dy fëmijët ndërruan jetë për shkak të asfiksisë.
Lajmi është konfirmuar për mediat nga drejtori i Policisë për Rajonin e Gjakovës, Lumni Graishta, i cili bëri të ditur se viktimat janë dy fëmijë të moshës 9 dhe 12 vjeç, si dhe babai i tyre 35-vjeçar.
“Mund të konfirmoj që i kemi tre të vdekur. Dy fëmijët e moshës 9 dhe 12-vjeç dhe babai 35-vjeç”, tha Graishta.
Gjithashtu, edhe zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, u shpreh se rasti ka ndodhur rreth orës 12:55, teksa policia u njoftua se një banesë u përfshi nga zjarri në lagjen “Mirëdita”, në Malishevë.
“Sot, rreth orës 12:55, jemi njoftuar për një incident zjarri në një banesë në lagjen “Mirëdita”, në Malishevë. Menjëherë pas pranimit të informacionit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë kompetente policore, zjarrfikësit dhe ekipet emergjente”, deklaroi Elezaj.
Sipas tij, në vendin e ngjarjes janë gjetur tre viktima, të cilat nuk kanë mundur dot t’u mbijetojnë plagëve të marra.
“Në këtë banesë janë gjetur tre persona të gjinisë mashkullore (një i rritur dhe dy fëmijë), të cilët janë dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Malishevë ku është konstatuar se të njëjtit ishin pa shenja jete. Zjarri është lokalizuar dhe nuk është raportuar për pasoja të tjera”, ka shtuar ai.
Policia njofton se për rastin është informuar edhe prokurori i shtetit dhe se hetimet janë duke vijuar për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e zjarrit.
Lini një Përgjigje