TAGS-AT E JAVËS

Kosova26 Mars 2025, 19:32

Kenia njohu zyrtarisht pavarësinë e Kosovës, Kurti dhe Osmani mesazh falenderimi

Shkruar nga Pamfleti

Kenia njohu zyrtarisht pavarësinë e Kosovës, Kurti dhe Osmani

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani kanë reaguar pas njohjes së pavarësisë së vendit nga shteti i Kenias.

Kryeministri Kurti u shpreh se njohja e pavarësisë është një lajm që i gëzon të gjithë. Ai e ka cilësuar si një vendim historik që i hap rrugë ndërtimit të marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve. Kurti falenderoi gjithashtu presidenten Vjosa Osmani dhe ish-presidentin Behgjet Pacolli.

“Njohja e Republikës së Kosovës nga shteti i Kenias na gëzon të gjithëve dhe është lajm shumë i mirë për Republikën.

Falënderoj presidenten e vendit Vjosa Osmani dhe ish-presidentin Behgjet Pacolli për rolin e tyre, krahas edhe të gjithë atyre që kontribuan në këtë arritje.

Mirënjohje për presidentin e Kenias William Samoei Ruto, i cili mori vendimin dhe hapin historik drejt afrimit të Kenias me Republikën e Kosovës dhe hapjes së rrugës për ndërtimin e marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve tona.

Me vullnet e gatishmëri për bashkëpunim e partneritet të ngushtë në këtë kapitull të parë të marrëdhënieve me Kenian, që urojmë të jetë jetëgjatë, i frytshëm dhe produktiv”, shkroi Kurti.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shprehur gjithashtu mirënjohjen e saj për vendimin e Republikës së Kenias për njohjen e Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.

Ajo njoftoi se ky vendim ka ardhur pas nënshkrimit të dokumentit nga presidenti kenian, Uilliam Ruto, dhe është dërguar zyrtarisht në Presidencën e Kosovës. Osmani falenderoi Presidentin Ruto dhe popullin e Kenias për këtë hap të rëndësishëm dhe për mbështetje të vazhdueshme.

 

Lini një Përgjigje