TAGS-AT E JAVËS

Kosova18 Shkurt 2026, 07:50

Gjyqi në Hagë, sot flasin ish krerët e UÇK-së para shpalljes së vendimit

Shkruar nga Pamfleti

Aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj katërshes së UÇK-së u konfirmua më 26 tetor të vitit 2020. Me t’u bërë publike, më 5 nëntor të po atij viti, të akuzuarit u dërguan në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Gjyqi në Hagë, sot flasin ish krerët e UÇK-së para
Gjyqi në Hagë, flasin katër ish-krerët e UÇK-së

Ditën e sotme katër ish-krerët e UÇK-së kanë të drejtën për të dhënë fjalën e tyre të fundit ne gjykatën Speciale të Hagës para shpalljes se vendimit.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, të cilët ndodhen në qendrën e paraburgimit të Hagës që nga muaji nëntor i vitit 2020, do të kenë ne dispozicion nga 20 minuta secili për të folur.

Ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së janë ngritur akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe Prokuroria Speciale e Hagës ka kërkuar 180 vite në total. Akuza këto që janë rrëzuar nga avokatët mbrojtës e të 4 ish-udhëheqësve të UÇK-së.

Ndërkohë një ditë më parë Kosova festoi 18-vjetorin e Pavarësisë, por njëkohësisht u mbajt edhe një protestë masive në Prishtinë. Në marshimin me moton “Drejtësi, jo politikë”, morën pjesë edhe përfaqësues të lartë shtetërorë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

'Specialja' në Hagë kërkoi 180 vjet burg për ish-krerët e UÇK-së

Prokurorët special në Hagë artikuluan kërkesën për dënim ndaj Hashim Thaçit dhe ish krerëve të tjerë të UÇK-së me 9 Shkurt, kur nisën deklaratat përmbyllëse në procesin gjyqësor në Hagë. Prokurorja e çështjes, Kimberly West, teksa artikuloi kërkesën për dënimin, tha se akuzat nuk e kanë humbur vlerën me kalimin e kohës.

Deklarata e saj pati nevojë për sqarim nga zëdhënësi i dhomave speciale, që tha se kërkesa për dënim është për 45 vite burg për secilin nga të katërt të akuzuarit, që e çon kërkesën e prokurorisë speciale në 180 vite në total.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar kërkon vendim dënimi për të gjitha pikat e aktakuzës dhe një vendim të vetëm prej 45 viteve, mbështetur në kontributet individuale të krimeve të kryera nga secili prej personave, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Këto janë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, janë të rënda dhe këto akuza nuk e kanë humbur vlerën e tyre me kalimin e kohës”, tha prokurorja.

Prokurorja West tha se ish-drejtuesit e UÇK akuzohen për vrasjet e 100 personave dhe torturave të qindra të tjerëve që janë abuzuar, në dhe rreth 50 kampe ndalimi.

“Kjo çështje ka të bëjë me qëllimin e katër të akuzuarve për të fituar dhe ushtruar kontroll në gjithë Kosovën. Kjo vendosmëri për kompetencë dhe fuqi u has me diçka, dhe kjo kishte të bënte me persona që kishin dalë si kundërshtarë ose përcaktoheshin se ishin bashkëpunëtorë me forcat serbe, ose zyrtarë serbë, ose që nuk mbështesnin synimet e UÇK-së", theksoi ajo.


Akuzat për ish-krerët e UÇK-së

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi akuzohen për veprat penale që përbëjnë krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje. Ata janë deklaruar të pafajshëm për akuzat. Krimet pretendohet se janë kryer midis muajit mars të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit pasues në disa vende në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.

Aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj katërshes së UÇK-së u konfirmua më 26 tetor të vitit 2020. Me t’u bërë publike, më 5 nëntor të po atij viti, të akuzuarit u dërguan në qendrën e paraburgimit në Hagë. Pas përmbylljes së deklaratave, çështja kalon te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen dhe ta shpallin atë.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar u themeluan në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, dhe janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por veprojnë me personel ndërkombëtar në Holandë.

gjyqi në hagë flasin katër ish-krerët e uÇk-së

Lini një Përgjigje