Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar themelimin e një gjykate speciale ndërkombëtare për të hetuar dhe gjykuar vrasjen e civilëve boshnjakë me snajper gjatë rrethimit të Sarajevës në fillim të viteve ’90, një episod i njohur si “Sarajevo Safari”.
Duke folur në konferencën e dytë shkencore ndërkombëtare të Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, Kurti deklaroi se ekzistojnë gjithnjë e më shumë informacione dhe fakte për këtë çështje dhe shtoi se, sipas pretendimeve, në këtë skemë ka pasur rol edhe presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Sipas tij, për një shumë të caktuar parash, nga kodrat përreth Sarajevës mund të qëlloheshin civilë boshnjakë në qytetin e rrethuar.
“Për të hetuar dhe gjykuar krimet e ‘Sarajevo Safari’ do të duhej të angazhohej një gjykatë speciale ndërkombëtare”, deklaroi Kurti.
Në të njëjtën fjalë, ai hodhi poshtë pretendimet për ekzistencën e të ashtuquajturës “Shtëpi e Verdhë” në Shqipëri si vend për trafikim organesh nga pjesëtarë të UÇK-së. Sipas Kurtit, kjo tezë “nuk ka ekzistuar kurrë” dhe përbën pjesë të një narrative hibride të Serbisë kundër UÇK-së dhe Shqipërisë. Ai tha se kjo çështje ishte iniciuar nga deputeti rus Konstantin Kosachev në prill 2008, pak pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
"E ashtuquajtura shtëpi e verdhë në Shqipëri nuk ka ekzistuar kurrë si vend për trafikimin e organeve nga pjesëtarët e UÇK-së, por është pjesë e narrativës hibride të Serbisë kundër UÇK-së dhe Shqipërisë. Ajo është iniciuar nga deputeti rus Konstantin Kosachev, më 15 prill 2008, as dy muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Shtëpi të verdhë nuk ka, por ka gjithnjë e më shumë informacione dhe fakte se ka pasur ‘Sarajevo safari’, ku rol thuhet të ketë pasur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Për një shumë të hollash, nga kodrat përreth Sarajevës mund të qëlloje boshnjakë civilë me snajper në qytetin e rrethuar në fillim të viteve ’90. Për të hetuar dhe gjykuar krimet e ‘Sarajevo safari’ do të duhej të angazhohej ndonjë gjykatë speciale ndërkombëtare”, tha ai.
Kurti foli edhe për procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, duke theksuar se lufta e UÇK-së ishte “e drejtë dhe e domosdoshme për liri dhe mbijetesë”. Sipas tij, ky proces nuk mund të vërë në dyshim karakterin çlirimtar të luftës dhe aspiratën e Kosovës për liri dhe barazi.
Deklaratat e Kurtit pritet të nxisin reagime në Beograd, në një kohë kur marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë mbeten të tensionuara.
Lini një Përgjigje