A i druhet Edi Rama një revolte reale që mund të çojë në rënien e tij, siç ndodhi me LSI-në e Ilir Metës në vitin 2005 që rrëzoi Fatos Nanon nga pushteti?
Edi Rama ka paralajmëruar për nesër një mbledhje të përbashkët të grupit parlamentar dhe ministrave në sallën e parlamentit, të cilën do ta transmetojë edhe live.
Do të jetë një ‘one man show’, siç e ka zakon kryeministri, që vjen menjëherë pas një mbledhjeje të trazuar të tij me krerët e qarqeve në selinë e PS-së.
Edi Rama pritet të shpallë nesër vendimin për të ndryshuar totalisht krerët politikë të qarqeve, dhe siç mësohet, nuk do të jetë asnjëri prej emrave aktualë, që janë edhe udhëheqës e qeveritarë të mazhorancës.
Rama, do të mbajë një fjalim të gjatë, ku do të shpallë ndryshimet, e që më pas do të deklarojë se të gjitha do të miratohen në Asamblenë e Përgjithshme të partisë.
E cila do të kondicionohet nga fjalimi dhe impakti në publik që do të ketë ai fjalim, por edhe jehona e tij, në emisionet e darkës, ku mësohet se të enjten do të jetë edhe vetë Edi Rama.
Në mbledhjen e nesërme, me fjalë të tjera, ai ka paralajmëruar ndryshime politike në PS, si dhe në qeveri, të cilën do ta bëjë në një fazë të dytë, ku do të ndryshojë edhe organizimin e qeverisë, ku siç mësohet, do të sjellë një emër të njohur që punon jashtë vendit, si profesore në një nga universitetet më prestigjoze të botës.
Pra, Rama, do të thotë para deputetëve dhe ministrave, që çfarë ai ka bërë apo ka ndërmend të bëjë, nuk e ka si qëllim për të pasuruar karrierën e të tjerëve, apo për t’u dhuruar pushtet, por për të përmbushur atë qëllim që ai ka. Do të japë të qartë mesazhin se të gjithë në Partinë Socialiste janë thjesht garniturë e përbërësi kryesor mbetet “I gjati”. Të paktën deri sa ai nuk ka rënë.
Si një autoritar tipik, Edi Rama ngjan totalisht me Sali Berishën, pra pas meje kjameti. Ose do të jem unë që do ta caktojë se si, kur dhe kush do të më zëvendësojë.
Një model ‘alla Erdogan’ në kuptimin e plotë të fjalës. Mbledhja e nesërme do të quhet ndryshe edhe mbledhja e ndërprerjes së disa karrierave dhe mbyllja përfundimtare e kapitullit se nën Bablokun ka vetëm hije për fresk, jo karrierë.
Po a i druhet Edi Rama një revolte reale që mund të çojë në rënien e tij, siç ndodhi me LSI-në e Ilir Metës në vitin 2005 që rrëzoi Fatos Nanon nga pushteti?
Si djalli-temjanit, ndaj gjithmonë ka kryer aleanca të fshehta me njerëzit e botës së nëndheshme; me Ilir Metën përshembull, me Sali Berishën, me xhematin e Erdoganit në Tiranë, vetëm e vetëm që të mos bjerë vetë.
Nëse shihet me kujdes historia 11 vjeçare e pushtetit të Edi Ramës, vë re se ai ka pasur gjithmonë disa deputetë rezervë në Parlament, që i ka përdorur në ditë të vështira.
Në vitin 2016, Ilir Meta e bëri një plan për të bërë kryeministër Rexhep Meidanin, por Rama mori një grup deputetësh të PD-së, që u dha ofiqe e pushtet si Fufi i Kurbinit, Selami i Vlorës etj. Të cilët Meta tentoi t’i largojë me dekriminalizimin, duke përdorur Adriatik Llallën.
Më pas mori një grup deputetësh të listave rezervë të PD-së e LSI-së, duke e ditur që në fillim planin e Berishës e Metës për djegien e mandateve.
Sot ka bërë një pakt të fortë e të bollshëm me deputetët e Sali Berishës, pakt i cili nuk ka fare lidhje për sofizma si reforma zgjedhore apo gjëra të tilla, por është thjesht llokmë pushteti.
Edhe sulmi ndaj Veliajt apo të tjerëve në PS, duke larguar Edi Ramën si shënjestër, është pjesë e paktit për ta mbajtur Bablokun në pushtet deri në vitin 2025.
Logjikisht, Rama nuk u trembet rebelëve të dobët në partinë e tij që nuk dalin hapur, apo aq më pak Berishës e Metës.
Ai i friksohet vetëm amerikanëve, të cilët mund të bëjnë një mazhorancë në Kuvend, për të kërkuar një qeveri tjetër deri në zgjedhjet e reja. Pikërisht këtë po mundohet ta pengojë. Po a do të mundet ta arrijë?
Edhe sikur të arrijë t’i bëjë numrat në Parlament për ta mbajtur, a mund t’i rezistojë një bombe të madhe që mund të vijë përtej oqeanit?
Padyshim që jo, madje mund të jetë kjo bombë që do hedhë në erë Bablokun e të gjithë elitën e vjetër, që po mbahen me kthetra mbit rupin e drobitur të Shqipërisë./Pamfleti
Lini një Përgjigje