TAGS-AT E JAVËS

Politike13 Qershor 2023, 11:00

Vuçiç rrëzon draftin e Ramës: Ai nuk është kryeministri i Kosovës, s'ka punë me Asociacionin!

Shkruar nga Pamfleti
Vuçiç rrëzon draftin e Ramës: Ai nuk është
Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka refuzuar propozimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama për Asociacionin e komunave serbe në Kosovë.

Ai ka thënë se e respekton kryeministrin Rama por që nuk është i autorizuar të hartojë statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Vuçiç ka thënë se Rama nuk është anëtar i Ekipit Menaxhues dhe kësisoj nuk mund të bëjë draf-statut për Asociacionin.

“Me sa di unë, Edi Rama nuk është anëtar i Ekipit Menaxhues Serb. As kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili duket se dëshiron të bëhet pjesë e atij ekipi, pasi edhe ai ka diçka të shkruar, por nuk ka të drejtë ta ketë të shkruar.

Nuk kemi çfarë të negociojmë këtu. Na jepni vetëm parimet dhe organet e Asociacionit siç janë negociuar dhe siç e kam inicializuar në vitin 2015 me (në atë kohë kryeministrin e Kosovës) Isa Mustafa. Nuk kërkojmë asgjë më shumë. A e dini se kur do të jetë? Asnjëherë, sigurisht jo derisa Kurti është në pushtet.", ka thënë Vuçiç, shkruan media serbe Danas.

Kryeministri Rama në një konferencë për shtyp të enjten e kaluar deklaroi se ka i ka dërguar një draft për Asociacionin i realizuar me ekspertë të huaj, përfshi edhe amerikanë,  liderëve të Gjermanisë dhe Francës.

Ai theksoi se draftin nuk e kishte konsultuar me kryeministrin Albin Kurti.

Deklarata e Ramës ngjalli reagime në Shqipëri dhe Kosovë. Ish-kryeministri Sali Berisha tha se teksti ishte shkruar në Beograd, ndërsa ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, mbështeti qëndrimin e Ramës për këtë çështje.

Vetë Albin Kurti nuk është deklaruar për këtë prerazi, por ditën e nesërme do të jetë takimi i parë mes dy kryeministrave në Gjakovë pas propozimit të Ramës.

Sipas axhendës, takimet mes dy qeverive do të nisin në ora 11:00, kur edhe pritet të mbërrijë delegacioni i Qeverisë së Shqipërisë në Gjakovë.

Ndërkohë edhe ditën e djeshme në festën e 32-vjetorit të PS, Rama e ka shfrytëzuar rastin për të sulmuar Albin Kurtin dhe kritikët e tij në Kosovë.

Rama sulmoi ashpër ata që i dolën kundër, duke deklaruar se duan të luajnë luftash.

“Ata që e kanë kundërshtuar pa ditur përmbajtjen si në Prishtinë e Beograd duke thënë nuk duhet të dëgjojnë propozim nga Shqipëri, u them 2 gjëra. Së pari, ata që flasin kështu jetojnë me komunizmin në kokë kur politika merrej me kush e tha dhe jo se çfarë tha. Vërtet ata vendosin për veten, por ky rajon nuk është i tyri, por dhe i joni. Nëse atyre u vjen më për mbarë të luajnë luftash një treçerek shekulli pasi lufta ka mbarur, ndërkohë që asnjëra palë dhe tjetra nuk i hapin dot  as luftë njëra-tjetrës, por as të shtëna. Sepse aty është NATO. Aleatëve po u soset durimi sepse duan paqen finale. Unë ju them jo që nuk jemi të interesuar për atë lojë luftash, por jemi kundër asaj loje luftash”, tha Rama.

 

rama vuçiç drafti për asocacionin

Lini një Përgjigje