Gjergji Hani është kandidati i parë që është futur në garë për kreun e Partisë Demokratike.
Pak ditë më parë, Kryesia e Partisë Demokratike vendosi se më 29 korrik do të mbahen zgjedhjet për kryetarin e ri të kësaj partie.
Ish-i përndjekuri politik Gjergj Hani ka shpallur kandidaturën për kreun e Partisë Demokratike. Në një postim në rrjetin social Facebook, ai është shprehur se është i vetëdijshëm që ka për të qenë një rrugë e lehtë, pasi sipas tij e vërteta nuk e ka pasur kurrë rrugën e tillë.
Hani thotë se vendi duhet të fillojë një rrugë normaliteti të funksionimit politik të ekuilibruar, për të mundësuar shpalosjen e realiteteve, vetëdijeve dhe ideve që do të mundësonin hartimin e një boshti të filozofisë politike.
“Shqiptarët e fillim viteve ’90, dolën nga një prej diktaturave më të egra e çnjerëzore, aq të lodhur, rraskapitur e njëkohësisht të etur për liri, sa çdo gjë që do tu shitej si e tillë, do ta pinin me një frymë, ndonëse nuk e dinin se çfarë ishte në të vërtetë. Dhe ajo që ju shit shqiptarëve si liri, ishte mundësia e ikjes nga ky vend me ëndrrën e thjeshtë të mbushnin barkun me bukën e mohuar për 45 vjet rresht”, shkruan ai.
Deklarata e plotë:
Unë jam bashkë me ty
Mbetet fakt që krizat janë ato që sjellin ndryshimin. Qoftë ky një ndryshim i ndjerë së brendshmi, pra si nevojë organike e shoqërisë, apo një force politike që detyrohet të pranojë se ka humbur rrugën. Në rastin e PD – së, është padyshim humbja e rrugës. E kam thënë gjithmonë e do të vazhdoj ta them, që nuk ndihem i zhgënjyer mbi sa ka ndodhur deri më sot, me këtë parti dhe elektoratin e saj. Nuk kish si të ndodhte ndryshe. PD – ja lindi si forcë e djathtë vetëm në parim, pasi mungonte dija, vetëdija dhe vullneti i atyre që ngjitën shkallët e hierarkisë në këtë parti, për të ndërtuar simetrinë politike mes së majtës e së djathtës, si kusht I domosdoshëm për të garantuar ekuilibrat e domosdoshëm të një demokracie funksionale.
Shqiptarët e fillim viteve ’90, dolën nga një prej diktaturave më të egra e çnjerëzore, aq të lodhur, rraskapitur e njëkohësisht të etur për liri, sa çdo gjë që do tu shitej si e tillë, do ta pinin me një frymë, ndonëse nuk e dinin se çfarë ishte në të vërtetë. Dhe ajo që ju shit shqiptarëve si liri, ishte mundësia e ikjes nga ky vend me ëndrrën e thjeshtë të mbushnin barkun me bukën e mohuar për 45 vjet rresht.
Nuk dua të humbas në diskutime shterpë mbi teoritë e Katowice-s. Fakt mbetet që pushteti komunist u përpoq, e bëri çishte e mundur për të mbijetuar, duke u ricikluar I kamufluar me ngjyra të ndryshme pluralizmi, e duke marrë kryesimin e çdo force të strukturuar politike. Shembujt e personazhet që mundësuan këtë I kemi të gjithë përpara syve në arenën e shëmtuar të politikës, që ka si qëllim vetëm pushtetin në vetvete.
Parë në këtë këndvështrim, kriza që ka përfshirë PD-në, ndonëse nuk ndodhi si nevojë e brendshme e shoqërisë, ajo sërish është sa e dobishme, po aq e domosdoshme pasi na vuri të gjithëve përballë së vërtetës së madhe që është kriza e identitetit. Krizë të cilën PD-ja e ka bartur gjithmonë në mënyrë latente gjatë rrugëtimit të saj 32 vjeçar.
Koha është tirani më i madh dhe nuk amniston askënd. Përfshi këtu edhe identitetin e humbur të së vërtetës, që reklamon me të drejtë vendin e saj përballë mashtrimit universal që vazhdon të tërheqë zvarrë këtë vend në rrugën pa krye të një tranzicioni pa fund.
E gjitha kjo duhet të mbarojë nëse duam që vendi të fillojë rishtazi një rrugë normaliteti të funksionimit politik të ekuilibruar, gjë e cila do të mundësonte shpalosjen e realiteteve, vetëdijeve, e ideve që do të mundësonin hartimin e nje boshti të filozofisë politike, që gjithmonë i ka munguar kësaj PD-je që e qeverisur nga primitivizmi politik, ka kalëruar gjithmonë demagogjine e pastër dhe gjuhën e urrejtjes së verbër që i ka shërbyer e i shërben vetëm kultit të individit transformist që ka si qëllim final vetëm pushtetin në vetvete, e jo alternativat dinamike që do të pilotonin shoqërinë shqiptare në rrugën e kombeve të ndritura, ku aspiron e meriton të jetë.
Jam i vetëdijshëm që nuk ka për të qenë një rrugë e lehtë, pasi e vërteta nuk e ka pasur kurrë rrugën të tillë, por nga ana tjetër jam i besimit që nuk duhet humbur kohë në llogari meskine mbi mundin dhe rreziqet, por duhet që çdo njëri prej nesh të bëjë çështë e mundur që e vërteta të bëhet pjesë integrale e jetës së këtij vendi të bekuar nga Zoti, e të mallkuar nga verbëria e pushtetit si qëllim në vetvete, që e shtrëngon gjithmonë të lypë në udhëkryqet e historisë. Gjithë sa më lart, janë një pjesë e kufizuar e një sërë arsyetimesh që më dhanë forcën e kurajon për të thënë; Po. Unë do të kandidoj për postin e kryetarit politik te Partisë Demokratike Shqiptare.
Lini një Përgjigje