
Gjatë ditës së sotme, vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme. Moti parashikohet kryesisht i kthjellët, me vranësira të pakta deri mesatare kalimtare në zonat malore të lindjes, duke nisur nga orët e mesditës.
Në orët e vona të mbrëmjes pritet shtim gradual i vranësirave, fillimisht në veri të vendit dhe më pas në pjesën tjetër të territorit, ku ato do të jenë herë pas here të dendura.
Nga mesdita deri në pasditen e vonë, në relievet malore lindore parashikohen reshje shiu të dobëta dhe të herëpashershme. Më pas, reshjet do të shtrihen gradualisht në pjesën më të madhe të vendit, duke filluar nga veriu. Në zona të veçanta dhe për periudha të shkurtra, reshjet mund të marrin formën e shtrëngatave të shoqëruara me shkarkesa elektrike, ndërsa në raste të izoluara nuk përjashtohet edhe breshëri.
Era do të fryjë nga kuadrati perëndimor me shpejtësi mesatare rreth 7 m/s. Përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore, herë pas here ajo mund të arrijë shpejtësi deri në 14 m/s.
Në detet Adriatik dhe Jon, valëzimi parashikohet i forcës 1 deri në 3 ballë.
Lini një Përgjigje