Shehaj ka kërkuar interpelancë me kryeministrin Edi Rama
Kuvendi i Shqipërisë mblidhet sot në seancën e radhës plenare, ku në rendin e ditës është parashikuar zhvillimi i gjashtë interpelancave.
Interpelancat nisin me ministrin e Mjedisit, Sofjan Jaupaj, ndaj të cilit deputetë të Partisë Demokratike kanë kërkuar sqarime lidhur me situatën e krijuar nga plani për ndërtimin e një resorti luksoz në zonën e mbrojtur të Nartës.
Deputetët e opozitës kërkojnë transparencë mbi bazën ligjore të projektit, studimet e ndikimit në mjedis dhe respektimin e legjislacionit për zonat e mbrojtura.
Po ashtu, deputetë të Partisë Demokratike kanë thirrur në interpelancë ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari, në lidhje me ngjarjen e ndodhur pak ditë më parë në Lozhan të Maliqit, ku humbi jetën gjatë detyrës efektivi Enea Mekolli dhe mbeti i plagosur një koleg i tij. Ligjvënësit kërkojnë sqarime mbi organizimin dhe drejtimin e operacionit policor.
Deputeti Agron Shehaj ka kërkuar interpelancë me kryeministrin Edi Rama për koncesionin “Për projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e aksit rrugor Thumanë–Vorë–Kashar”.
Ndërkohë, ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, do të japë shpjegime për projektin Durana Park, pas kërkesës për interpelancë të deputetit demokrat Eno Bozdo, i cili kërkon informacion mbi procedurat e ndjekura dhe përdorimin e fondeve publike.
Në rend dite është edhe interpelanca e kërkuar nga Agron Shehaj dhe Erald Kapri me ministrin e Financave, Petrit Malaj. Ata kërkojnë sqarime lidhur me ekzekutimin e detyrimeve financiare dhe mbledhjen e gjobës prej 120 milionë eurosh ndaj kompanisë Bankers Petroleum, si dhe mbi të ardhurat e realizuara nga koncesionet dhe partneritetet publike-private në Shqipëri.
Rendi i ditës:
Në mbështetje të urdhrit nr. 37, datë 9.6.2026 të Zëvendëskryetares së Kuvendit, znj. Klodiana Spahiu, rendi i ditës është si më poshtë vijon:
1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 4.6.2026.
2. Njoftime.
3. Interpelancë urgjente me Ministrin e Mjedisit, z. Sofjan Jaupaj, kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
4. Interpelancë urgjente me Ministrin e Punëve të Brendshme, z. Besfort Lamallari, kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
5. Interpelancë me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, kërkuar nga deputeti Agron Shehaj.
6. Interpelancë me Ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit, znj. Delina Ibrahimaj, kërkuar nga deputeti Enno Bozdo.
7. Interpelancë me Ministrin e Financave, z. Petrit Malaj, kërkuar nga deputetët Agron Shehaj dhe Erald Kapri.
8. Interpelancë me Ministrin e Financave, z. Petrit Malaj, kërkuar nga deputetët Agron Shehaj dhe Erald Kapri.
9. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.
Lini një Përgjigje