
Përplasja brenda koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” ka mbërritur zyrtarisht në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ku Adriatik Lapaj ka depozituar një shkresë formale drejtuar Ilirjan Celibashit, ku kërkon respektimin e dorëheqjeve të kandidatëve të listës së mbyllur dhe aplikimin korrekt të ligjit zgjedhor.
Në dokumentin e dorëzuar këtë të enjte, Lapaj nënvizon se dorëheqjet janë bërë nga kandidimi për deputet dhe, si të tilla, kandidatët përkatës nuk kanë më të drejtë përfitimi të mandatit. Në thelb të argumentit qëndron ideja se listat e mbyllura nuk mund të rikthejnë emra të dorëhequr, pavarësisht vendit të tyre në renditje.
“Mandati i deputetit duhet t’i kalojë kandidatit të parë të listës së hapur që ka marrë numrin më të lartë të votave brenda koalicionit tonë dhe ky është Adriatik Lapaj,” thuhet në shkresën e firmosur nga përfaqësuesit ligjorë të nismës.
Por pas këtij zhvillimi qëndron edhe një konflikt i heshtur që ka dalë në sipërfaqe mes Lapajt dhe Endri Shabanit. Ky i fundit akuzohet për ndërhyrje të tërthortë, pasi daja i tij, një emër i renditur në listën e mbyllur të dorëhequrve, ka kërkuar së fundmi të marrë mandatin, duke mohuar se ka firmosur ndonjë dorëheqje më parë.
Kjo lëvizje është interpretuar si një përpjekje për të anashkaluar rezultatet reale të votës dhe për të rimarrë pozita politike përmes teknikave procedurale. Zgjedhja i mbetet tani KQZ-së, ndërkohë që sytë janë nga Celibashi për një vendim që mund të krijojë precedent për funksionimin e listave zgjedhore në të ardhmen.
Letra
Nisma “Shqipëria Bëhet”, me Vendimin nr. 137, datë 04.03.2025, dërgoi regjistrimin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të kandidatit për deputet në Qarkun Tiranë për zgjedhjet e datës 11 maj 2025, me emrin e kandidatit z. Arlind Kuka, për listën shumemërore.
Ky kandidim iu transmetua KQZ-së nga Qarku Tiranë, duke shënuar që (i) mandati përfaqësonte një angazhim të mirëfilltë publik dhe qytetar, (ii) ishte pjesë e listës së mbyllur të subjektit zgjedhor “Shqipëria Bëhet”, dhe (iii) përputhej me kriteret ligjore dhe statutore. Megjithatë, më datë 17.04.2025, kandidati Arlind Kuka ka paraqitur një kërkesë zyrtare për dorëheqje nga kandidimi, për arsye personale dhe pamundësi objektive për të vijuar me fushatën dhe detyrimet politike që lidhen me mandatin e mundshëm.
Çdo dorëheqje individuale, sipas dispozitave që rregullojnë listën shumemërore dhe renditjen e kandidatëve, është një vendimmarrje e lirë dhe e pakthyeshme nga ana e kandidatit.
Në përputhje me kërkesën e tij zyrtare, si dhe në respektim të parimeve të transparencës zgjedhore dhe integritetit të listave, subjekti “Shqipëria Bëhet” kërkon nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve:
Të miratojë dhe të njohë zyrtarisht dorëheqjen nga kandidimi dhe të përditësojë listën shumemërore të Qarkut Tiranë për zgjedhjet e datës 11 maj 2025, sipas renditjes dhe kritereve të përcaktuara në ligj dhe statut.

Lini një Përgjigje