
Ndërsa fadromat e IKMT shembin bujtinat në Theth, në parkun e mbrojtur të Drilonit po nisin ndërtimet pa leje të kullave dhe pallateve të lidhura me Jamarbër Malltezin e Fatmir Bektashin, me heshtjen dhe mbështetjen e qeverisë...
Të gjitha kioskat dhe bujtinat turistike të ngritura në Theth pas thirrjes publike të kryeministrit Edi Rama për investime, janë rrafshuar me urdhër të tij, nëpërjet një operacioni të dhunshëm të IKMT dhe Policisë së Shtetit, pikërisht në kulmin e sezonit veror, duke dëbuar turistët. Një ditë para zgjedhjeve, Rama përuronte bujtinat duke i quajtur "modelet e turizmit zviceran", ndërsa pas zgjedhjeve i cilësoi "ndërtime pa leje" dhe urdhëroi shembjen e tyre.
Por në të njëjtën kohë, në një nga parqet më të njohura të Shqipërsië, në Drilon, po ndodh e kundërta. Në zonën e mbrojtur, buzë liqenit, ka nisur ndërtimi pa leje i kompleksit turistik "Pyjet e Drilonit", me pallate dhe kulla luksoze. Investimi po bëhet nga kompania "Kontakt&Magnet IMO Sh.p.k", në pronësi të Fatmir Bektashit dhe Jamarbër Malltezit, dhëndri i Sali Berishës. Të dy këta, të njohur për afera të shumta ndërtimi dhe në ndjekje penale për pastrim parash e shkelje ndërtimore, jo vetëm nuk ndahen, por në sy të institucioneve po reklamojnë publikisht projektin, dhe po shesin apartamente dhe ambiente tregtare "në ajër".
Kompleksi ndodhet në territor të mbrojtur nga UNESCO, por Bashkia Pogradec, IKMT, Policia, Ministria e Mjedisit dhe ajo e Kulturës, kanë zgjedhur heshtjen. Të gjithë janë në dijeni, por askush nuk ndërhyn. Sepse Bektashi e Malltezi janë të "lejuar" nga vetë Rama, ndryshe nga bujtinarët e Thethit që morën seriozisht thirrjen e tij publike për të investuar.
Vetë Këshilli Kombëtar i Territorit ka pranuar se kompania ka aplikuar për leje vetëm në shkurt të vitit 2025, dhe ende nuk ka marrë miratim. Por ndërkohë po punohet, po reklamohet dhe po shitet. Me bindjen se as SPAK, as prokuroria lokale nuk do lëvizin pa urdhër politik, siç ndodhi edhe me rastet e tjera të mbyllura në resortin e Olta Xhaçkës në Himarë apo kullat pa leje në qendër të Tiranës.
Drejtësia e dyfishtë që po ushtrohet në Theth e Drilon nuk është rastësore. Èshtë filozofia e vërtetë qeverisëse e Rilindjes: ata që nuk i duhen më, shkatërrohen; ata që i duhen ende, lejohet të grabisin, ndërtojnë, betonojnë. Ky është realiteti politik dhe urban i Shqipërisë së sotme./Pamfleti
Lini një Përgjigje