
Presidenti, Bajram Begaj ka reaguar pas vendosjes së tritolit në makinën e kreu të PD në Vaun e Dejës.
Ai ka thënë se dënon me forcë aktet e dhunës ndaj çdo individi e ndaj aktivistëve politikë të çdo kahu.
“Mësova me shqetësim mbi vendosjen e një sasie eksplozivi në automjetin në pronësi të Bernard Ndreca, në Laç, Vau i Dejës. Dënoj me forcë aktet e dhunës ndaj çdo individi e ndaj aktivistëve politikë të çdo kahu. Nxis institucionet përgjegjëse të identifikojnë e të vendosin para ligjit personat përgjegjës”, shprehet kreu i shtetit.
Një atentat me tritol është regjistruar mëngjesin e kësaj të marte në Vaun e Dejës. Objektiv ka qenë kreu i Rithemelimit në degën e Vaut të Dejës, Benard Ndreca i cili sapo kishte hipur në mjet dhe ndodhej me nënën e tij. Si pasojë e shpërthimit, nuk ka pasur të lënduar, vetëm dëme materiale çka lë të kuptohet se sasia e tritolit ka qenë e vogël.
Benard Ndreca në një prenoncim për mediat u shpreh se nuk ka konflikte me askënd dhe se ky është një sulm i hapur politik. Më tej u shpreh se nga kamerat e sigurisë arritën të dallonin dy persona me maskë që vendosën sasinë e lëndës plasëse në mjet rreth orës 1:15 të mbrëmjes. Ndreca bëri thirrje që politika të distancohet policia dhe të lënë qytetareët të lirë të votojnë.
Ngjarja e rëndë është regjistruar rreth orës 07:10 në fshatin Paçam pranë banesës së Ndrecës. Sasia e tritolit u vu në pjesën e përparme të makinës ndërsa shpërthimi ka ndodhur në momentin që Benard Ndreca ka hipur në mjetin e tij tip ‘Audi’. Shpërthimi dyshohet se është kryer me telekomandë. Provë e dobishme për efektivët e policisë janë kamerat e shumta të sigurisë në banesën e Ndrecës. Pamjet janë sekuestruar nga grupi hetimor dhe do mund të zbardhin ngjarjen e rëndë dhe autorët. Pista kryesore për shkakun e atentatit, mund të jetë një mesazh nga posti i tij politik në prag të zgjedhjeve vendore.
Fillimisht, Benard Ndreca ka ndezur makinën, e ka lënë ndezur dhe është rikthyer në banesë për të veshur këpucët. Ai është rikthyer në makinë dhe më pas në momentin që ka qenë duke u nisur, makina e tij tip 'Audi' ka shpërthyer në pjesën e përparme. Me të ka qenë edhe e ëma e cila ishte duke e pritur në pjesën e prapme të makinës.
Në vendin e ngjarjes janë paraqitur policia dhe prokurori i caktuar kanë kryer veprimet hetimore, teksa ka mbërritur dhe ish-deputeti i PD-së Zef Hila, i cili kandidon më 14 maj për kryetar të bashkisë. E pranishme është edhe deputetja e PD Greta Bardeli.
Lini një Përgjigje