Fredi Beleri po luan me teorinë konspirative se Edi Rama e ka shitur bashkinë, në një pakt me kryeministrin grek Qirjako Micotaqis
Kandidati i Sali Berishës, Ilir Metës dhe Vangjel Dules në Himarë, Fredi Beleri, po tenton një fushatë të egër në fshatrat ortodokse të bashkisë Himarë, duke përdorur fabulën se Rama e ka shitur bashkinë, në një pakt me kryeministrin grek Qirjako Micotaqis.
Duke e ditur që nuk e honepsin në Borsh, dhe në pjesën e Kuçit, ai po tenton që nga Himara qytet, Dhërmiu, Vunoi e fshatrat e tjerë, ku është shfaqur në fushatë me Pirro Dhimën.
I cili ka nisur një fushatë mbledhje fondesh në Athinë për të financuar një eskursion masiv elektoral të himariotëve që jetojnë në Greqi, të ngjashëm me atë të vitit 2007, kur fitoi Vasil Bollano.
Fabula e Belerit nuk ka asnjë logjikë politike dhe elektorale, atje nuk ka flamuj politik përveç flamurit grek, duke thënë se Edi Rama ka vendosur që t’ja lërë Himarën Omonias, pas një pakti sipas tij me Micotaqisin.
I cili, me Belerin në krah, ishte në një tubim të madh në qytet para disa muajsh, duke futur kështu dyshimin se ka një konjukturë politike për ta dhënë bashkinë në kompromis, që kreu i Nea Demokratia ta përdorë në fushatën e vështirë elektorale në Greqi.
Aksionet politike të Micotaqisit kanë rënë kryesisht për çështjet ekonomike e sociale, ndaj ai synon që të luftojë me kartën nacionaliste, kryesisht në zonat ku ish-Agimi i Artë ka bastionet e veta. Pra në rajonin e Epirit, Maqedonisë dhe Thrakisë.
Në fakt deri më sot, Rama, i cili në qarkun e Vlorës ka zhvilluar pafund takime, asnjëherë nuk është takuar me Gjergji Goron në Himarë, i cili është konfirmuar sërish nga Partia Socialiste.
E kjo mungesë po trajtohet si një teori konspirative prej Belerit, i cili së bashku me Pirro Dhimën synojnë të fitojnë shumicën në zonën e fshatrave ortodokse. Ku natyrisht në mënyrë të tërthortë po ndërhyn edhe Kisha Ortodokse.
Madje mësohet se për të dielën e Pashkës Ortodokse pritet të bëhet një manifestim i vërtetë politik në kishën e Himarës fshat dhe në Dhërmi. Ku ceremonitë janë lënë me orare të ndara, që në aspektin religjoz nuk kanë kuptim.
Një meshë, nis në të njëjtin orar në çdo kishë, ndërkohë në rastin e Pashkëve Ortodokse në bashkinë Himarë, është planifikuar një kalendar i ndarë, ku Fred Beleri e Pirro Dhima do të shfaqen në tre komunitetet më të mëdha të Himarës: në Spile, Dhërmi e Vuno.
Kreu i Partisë Socialiste për qarkun Vlorë, Blendi Klosi, ka qenë protagonist në caktimin e kandidatëve për Vlorën e Sarandën, ku ka zhvilluar edhe takime, por deri tani ka zhvilluar vetëm një takim në bashkinë Himarë.
Fushata e Belerit, është e fokusuar pikërisht në Spile, Palasë e Dhërmi, pasi e di që të gjithë votat në Kuç, Vranisht e Borsh, nuk i qasen atij.
Sondazhet e zhvilluara deri tani në territorin e bashkisë, i japin një fitore të sigurtë Gjergji Goros, por Beleri është fokusuar tek autobusat. Ku një numër i madh i të ashtuquajturëve “homogjenë”, pra shqiptarë me letra greke, janë regjistruar gjatë mandatit Bollano, si banorë të bashkisë Himarë. Edhe në zgjedhjet ku fitoi Bollano, por edhe në vitin 2000, pati mjaft përmetarë, dibranë e elbasanlli që votuan si himariotë.
Nëse ndodh kjo përmbytje zgjedhësish, që natyrisht nuk do të kryhet e gjitha ditën e votimeve por me faza, atëherë Beleri mund të shpresojë për një favor të tijin, duke parë që OMONIA në bashki, e ka një elektorat të sajin, kryesisht tek ata që kanë luftuar për të ashtuquajturin problem të pronave. Që ende sot nuk është zgjidhur në Himarë për 33 vjet. E ku korrupsioni shtetëror ka çuar në një pakënaqësi masive. / Pamfleti
Lini një Përgjigje