TAGS-AT E JAVËS

Politike11 Prill 2023, 10:25

Shqiptarët e Malit të Zi, të përçarë para zgjedhjeve të 11 qershorit

Shkruar nga Pamfleti

 

Shqiptarët e Malit të Zi, të përçarë para
Liderët politikë shqiptarë në Malin e Zi

Thënia e famshme e Gjergj Fishtës: “Si janë shqiptarët sot? Si i don anmiku!” përshkruan qartësisht situatën politike të shqiptarëve të Malit të Zi.

Në një kohë, kur forcat anti-Gjukanoviç janë në ofensivë pas fitores së tre palë zgjedhjeve radhazi: parlamentare, lokale e presidenciale, e ardhmja politike e shqiptarëve është mjaft e paqartë.

Aq më shumë sot, kur ndryshe nga viti 2020, partitë shqiptare nuk dalin me një listë zgjedhore të përbashkët por me dy të tilla. E që janë ndarë tipikisht në mënyrë provinciale ku partitë e Ulqinit dhe Anës së Malit janë bërë bashkë në një listë, e partitë e Malësisë dhe Dinoshës në një listë tjetër.

Tre vjet më parë, edhe me një listë mezi u mor një deputet, e kjo shkaktoi një përplasje të gjatë që çoi në një skizmë të madhe.

Në vitin 2020, Genci Nimanbegu, drejtues i Forca-s në Ulqin, lidhi aleancë me partitë e Forumit Shqiptar të Nik Gjeloshajt, kreut të komunës së Tuzit. Ata firmosën një marrëveshje, ku nëse do të arrijnë të marrin një deputet, duhet që 2 vjet ta mbajë përfaqësuesi i Forca-s e 2 vjet ai i Forumit Shqiptar. Dy vjet kaluan, e Nimanbegu ka harruar çfarë ka firmosur, e kështu ka shpërthyer një sherr i gjatë me sharje e ofendime nga palët.

Kur fushata elektorale është në prag, Nimanbegu dhe Fatmir Gjeka i Partisë Demokratike kanë firmosur një koalicion parazgjedhor, ndërkohë njëjtë kanë bërë Nik Gjeloshaj i Alternativës Shqiptare, Nikollë Camaj i Lidhjes Demokrate Shqiptare dhe Ferhat Dinosha i Unionit Nacional Shqiptar.

Ndërkaq, në fushë janë edhe dy parti të tjera si Unioni Demokratik i Shqiptarëve i Mehmet Zengës dhe Lidhja Demokratike e Malit të Zi, një parti e vjetër e themeluar nga Mehmet Bardhi e Fuat Nimani.

Në legjislaturën e shkuar Zenga arriti të futet në parlament, vetëm pas një rishikimi të votave nga Komisioni Qendror i Malit të Zi.

Një pjesë e partive të krijuara janë kryesisht “një parti, një kryetar”, ku si pasojë e inateve e egove kanë ndodhur lindje partish në seri.

Përshembull, Ferhat Dinosha ka qenë drejtues i Unionit Demokratik të Shqiptarëve për një kohë të gjatë, e themelues i tij. Ndërkaq, Fatmir Gjeka ka qenë pjesë e LDMZ, si shumë përfaqësues të tjerë; Nikollë Camaj e Nik Gjeloshaj.

Hapja e një korridori shumë të rëndësishëm politik ndërmjet Dritan Abazoviçit, i cili u bë kryeministër pa marrë asnjë votë shqiptare, gjithsesi nuk është keq në përgjithësi. Pakicat shqiptare, boshnjake dhe kroate konsiderohen si jetike për të garantuar orientimin properëndimor të Malit të Zi.

Sot, përveç se me një kryeministër shqiptar, dy ministra të rëndësishëm, por edhe drejtues institucionesh të fuqishme ekonomike në vend, pozita e shqiptarëve realisht është paksa më e mirë se në kohën e Gjukanoviçit, i cili i përdori ata si një levë politike e jo si partner real. Gjithsesi, edhe dje edhe sot nuk duhet kërkuar faji as te Gjukanoviçi e as të serbët e Malit të Zi, të cilët logjikisht që do të maksimalizojnë e mbrojnë votat e tyre.

Në një shtet multietnik si Mali i Zi, secili do të luftojë për vete, duke pasur parasysh se ndryshe nga shqiptarët, serbët e boshnjakët kanë edhe një element më shumë të përbashkët që janë klerikët e fuqishëm dhe institucionet religjoze.

Për 30 vjet shqiptarët dolën me modelin e Ibrahim Rugovës, duke formuar parti etnike, që për kohën ishte zgjidhja më e mirë e që ka sjellë mjaft të mira. Por tani kohët kanë ndryshuar, e gjërat lëvizin përditë.

Dhe modele për të arritur maksimalizimin e votave ka shumë, që nga koalicionet e përbashkëta e deri tek lidhjet e partneritetet me etnitë e tjera. Megjithatë më e rëndësishme është ndarja e këtij modeli të partive priovinciale ku secili kryetar bën parti në katundin e vet, e çështë më e rëndësishmja, shqiptarët duhet të rinovojnë klasën e vet politike.

Bashkë me Gjukanoviçin duhet të rifreskohet elita politike me djem e vajza të shkolluar në SHBA e Perëndim që Malësia, Ulqini, Plava e Gucia i kanë me shumicë.

Ndërkaq, një tjetër problem është sjellja me URA-n e Dritan Abazoviçit, që për partitë shqiptare herë është çetnik, e kur u jep poste qeveritare është “kryeministri i parë shqiptar”.

Një vit më parë, Dritanin e rrëzoi vota e një shqiptari e bashkëqytetari- deputetit Mehmet Zenga, i cili i kishte dhënë besën Gjukanoviçit, por tani u mbyt bashkë me të./Pamfleti

shqiptarët e malit të zi 11 qershori zgjedhjet përçarja

Lini një Përgjigje