TAGS-AT E JAVËS

Politike16 Dhjetor 2025, 17:05

Tjetër Pazar Rama-Berisha për 4 anëtarë Bordi të Bankës së Shtetit që u ka mbaruar mandati; shtyhet procesi

Shkruar nga Pamfleti
Tjetër Pazar Rama-Berisha për 4 anëtarë Bordi të
Rama dhe Berisha /

Anëtarët që u ka përfunduar mandati, janë propozuar nga qeveria dhe grupi parlamentar i PS në vitin 2018, mes tyre Ridvan Bode, ish-ministër i Financave në qeverinë e PD, dhe Suela Popa, ish-Drejtoresha e AZHBR në mandatin e parë 2013-2017 të qeverisë “Rama”, emëruar si përfaqësuese e LSI...

Dy sunduesit e politikës dhe të shtetit, Sali Berisha dhe Edi Rama, vazhdojnë të aktrojnë publikisht si “armiq” të njëri-tjetrit, ndërsa në prapaskenë ruajnë një marrëdhënie funksionale pazari. Një pazar që nuk ka të bëjë me ideologji, por me ndarjen e pushtetit real: leje ndërtimi për kulla, tenderë publikë dhe emërime klientësh në krye të institucioneve kyçe të shtetit.

Pas skenarit të koordinuar për caktimin e Endri Shabanit në postin e Avokatit të Popullit, Rama dhe Berisha kanë kaluar në pazar tjetër, këtë herë për Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, një nga institucionet më të rëndësishme financiare dhe monetare të vendit.

Sipas ligjit, mandati i anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës është 7 vite. Për katër prej tyre, mandati përfundon më 15 dhjetor 2025: Ridvan Bode, Edlira Luçi, Artan Hoxha dhe Suela Popa, bashkëshortja e Vangjel Tavos. Brenda datës 1 dhjetor, qeveria dhe Kuvendi duhej të kishin nisur procedurat për përzgjedhjen dhe dorëzimin e kandidatëve në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, ndërsa deri më 15 dhjetor duhej të ishte bërë votimi në parlament.

Asgjë nga këto nuk ka ndodhur. Procesi nuk ka nisur fare. Arsyeja është e thjeshtë: Rama dhe Berisha e kanë bllokuar qëllimisht, në marrëveshje me njëri-tjetrin, për të vendosur nëse katër anëtarët aktualë do të marrin apo jo një mandat të dytë 7-vjeçar, apo nëse vendet do të rishpërndahen sipas interesave të reja politike.

Këshilli Mbikëqyrës përbëhet nga 9 anëtarë. Pesë prej tyre caktohen nga Kuvendi përmes marrëveshjeve PS-PD, tre caktohen nga qeveria dhe një nga vetë Këshilli Mbikëqyrës i Bankës. Katër anëtarët që po u mbaron mandati janë propozuar në vitin 2018 nga qeveria dhe grupi parlamentar i PS, mes tyre Ridvan Bode, ish-ministër i Financave në qeveritë e PD-së, dhe Suela Popa, ish-drejtoreshë e AZHBR në mandatin e parë të qeverisë Rama, e emëruar atëherë si përfaqësuese e LSI-së.

Por tani, kur PS dhe PD po “hanë në një çanak”, Sali Berisha kërkon të sigurojë njerëzit e tij në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Ky është shkaku real i bllokimit të procesit. Jo mungesa e kandidaturave, por pazari për emrat dhe ndikimin.

Ky episod nuk është i shkëputur. Është pjesë e një serie marrëveshjesh të heshtura mes Ramës dhe Berishës: ndarja e posteve, dyfishimi i pagave të zyrtarëve, ngritja e komisionit anti-SPAK të drejtuar nga Fatmir Xhafaj, marrja dhe njohja e vulës së PD-së, amnistia penale për të liruar zyrtarë dhe trafikantë të dënuar nga SPAK dhe GJKKO, pazaret për Kodin Zgjedhor, Avokatin e Popullit, lejet për kulla e resorte dhe skema të tjera që mbajnë në këmbë rendin e vjetër politik.

Ndërsa publikut i shitet një konflikt artificial mes dy kampeve, shteti real vazhdon të qeveriset nga pazari i tyre. Dhe Banka e Shqipërisë, një institucion që duhet të ishte jashtë çdo pazari politik, mbetet peng i kësaj marrëveshjeje të heshtur./Pamfleti

 

pazari rama berisha bordi i bankës së shtetit

Lini një Përgjigje