TAGS-AT E JAVËS

Politike16 Dhjetor 2025, 17:24

Kërkesa e SPAK për t’i hequr imunitetin Ballukut, Këshilli i Mandateve mblidhet më 19 dhjetor; procedurat që do ndiqen

Shkruar nga Pamfleti

Kërkesa e SPAK për t’i hequr imunitetin Ballukut, Këshilli

Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit pritet të mblidhet të premten e 19 dhjetorit për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme lidhur me zv/kryeministren Belinda Balluku.

SPAK ka kërkuar heqjen e imunitetit të deputetes, duke i hapur rrugë vendosjes së masave të sigurisë ndaj saj. Sipas SPAK, Balluku akuzohet për “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 258/2 dhe 25 të Kodit Penal, në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”.

Gjithashtu, ka marrë cilësinë e personit nën hetim për dyshimin e kryerjes së të njëjtës vepër penale për shtatë procedura të tjera prokurimi në Unazën e Madhe të Tiranës. Vetë kryeministri Rama në reagimin e tij dha sinjale se PS mund ta refuzojë këtë kërkesë.

Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, Rama e cilëson këtë veprim si një vazhdim i "modës së arrestimeve pa gjyq" dhe shigjeton në mënyrë të drejtpërdrejtë SPAK-un.

Që arrestet pa gjyq, në daç në shtëpi e në daç me burg, janë bërë një modë e vrazhdë në Shqipëri, kjo është një e vërtetë e hidhur”, shkruan Rama, duke iu referuar praktikave që sipas tij kanë shqetësuar edhe Këshillin e Europës.

Procedurat

Por cilat janë procedurat që ndiqen kur SPAK kërkon heqjen e imunitetit të një deputeti? Sipas nenit 118 të Rregullores, kreu i Kuvendit ia dërgon kërkesën dhe dokumentet shoqëruese menjëherë për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet dhe vë në dijeni deputetin.

Deputeti për të cilin kërkohet dhënia e autorizimit lajmërohet për kërkesën e bërë dhe dokumentet që e shoqërojnë atë, si dhe i bëhet e ditur koha në të cilën Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të fillojë shqyrtimin e kërkesës. Deputeti ka të drejtë të paraqesë në Këshill, me shkrim ose me gojë, shpjegimet dhe vërejtjet e tij rreth çështjes, të përfaqësohet me mbrojtës ligjor, të drejtojë pyetje dhe të kërkojë sqarime në lidhje me kërkesën, me qëllim të ushtrimit të së drejtës së mbrojtjes”, theksohet në pikën 2.

Në përfundim të shqyrtimit, Këshilli brenda 2 javëve harton një raport për në seancë plenare, në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, ose heqjes së lirisë në çfarëdolloj forme, apo kontrollit personal ose të banesës. Raporti i Këshillit u shpërndahet deputetëve.

Shqyrtimi i kërkesës për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, heqjes së lirisë në çfarëdolloj forme, apo të kontrollit personal ose të banesës së një deputeti vendoset si pikë e parë e rendit të ditës të seancës pasardhëse, pas paraqitjes së raportit të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Në seancë plenare fjala i jepet në fillim deputetit, ndaj të cilit është paraqitur kërkesa, për të dhënë shpjegime ose për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve. Raporti i Këshillit nuk është objekt diskutimi. Kuvendi vendos me votim të hapur për dhënien ose mosdhënien e autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, ose heqjes së lirisë në çfarëdolloj forme, apo kontrollit personal ose të banesës ndaj deputetit”, thuhet më tej.

Në rastin kur Kuvendi nuk merr vendim për dhënien ose mosdhënien e autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, ose heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, apo kontrollit personal ose të banesës të një deputeti brenda 3 muajve nga data e paraqitjes së kërkesës përkatëse, atëherë kërkesa konsiderohet e rrëzuar nga Kuvendi.

balluku imunitet kuvendi

Lini një Përgjigje