
Kreu i Grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi do të mbledhë ditën e nesërme grupin opozitar.
Mësohet se mbledhja do të mbahet në orën 12:00, në sallën e grupit në Kryesinë e Kuvendit.
“Të nderuar kolegë, Nesër, e hënë, ora 12:00, mbledhje e grupit në sallën e grupit në Kryesinë e Kuvendit”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se kohët e fundit në Kuvendin e Shqipërisë dhe në Komisone ka patur tensione të larta mes deputetëve të opozitës dhe atyre të mazhorancës.
Pak ditë më parë deputetet e opozitës u ndaluan nga Garda e Republikës të futeshin në Kryesinë e Kuvendit për të marrë pjesë në Komisionet që do të zhvilloheshin, ndërsa zgjodhën më pas të futeshin duke kaluar nga kangjellat.
Garda nuk i lejoi të futen nga dera deputetët të cilët ishin përjashtuar nga Kuvendi për shkak të kaosit të shkaktuar, por ata nuk iu bindën urdhrit dhe gjetën një mënyrë tjetër për t’iu bashkuar mbledhjes së grupit të Rithemelimit. Madje kolegët që ishin në Kuvend iu erdhën në ndihme duke iu dhënë një karrige.
Gazment Bardhi nuk iu është bashkuar në këtë ‘mision’ duke qëndruar jashtë ambienteve të Kuvendit.
“Në çdo xhiro që bëjmë rreth godinës ndiqemi nga Garda. Është lajm i mirë që qeveria merr në mbrojtje deputetët e opozitës”, tha Bardhi.
Grupi i Rithemelimit, që mbështet Sali Berishën dhe mbështetësit e Gazment Bardhit janë shprehur të vendosur se do të vijojnë kaosin derisa të përmbushen kërkesat e tyre mos-përfshirjen e PS në punët e brendshme të grupit të deputetëve të PD, zëvendësimin e anëtarëve dhe bashkë-kryetarit të Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare.
Lini një Përgjigje