
Ndonëse përditë ka plagosje dhe vrasje, kryeministri i vendit Edi Rama, vijon ta cilësojë Shqipërinë si vendin më të sigurt në Evropë.
Deklaratat u bënë para nënshkrimit të marrëveshjes për organizimin e “World Law Congress Albania 2027”.
Rama u shpreh se vendi ka përparuar dhe nëse 50 vite më parë për botën dhe Europën ne ishim si Koreja e Veriut, vend totalitar komunist i izoluar, gjërat kanë ndryshuar dhe jemi mikpritës të shumë eventeve Botërore.
“Në 2027, Shqipëria nuk do të jetë mikpritëse jo vetëm e Kongresit Botëror të drejtësisë, por edhe e Samitit të NATO-s, po kështu edhe e finaleve Europiane nën moshën 21 vjeç në futboll. Këto janë gjëra të jashtëzakonshme që po ndodhin falë punës që kemi bërë. Duhet të kemi parasysh që nuk ishte 100 vite më parë. Ishim krejtësisht të izoluar dhe ishim Koreja e Veriut e Europës. Pretendonim se ishim vendi i vetëm i vërtet dhe i mirëfilltë komunist. Vitin e kaluar e mbyllëm me 12 milionë vizitorë”, u shpreh Rama.
Kryeministri ftoi turistët të vijnë në Shqipëri, duke e konsideruar vendin tonë si një ndër vendet më të sigurta në Europë, me normën më të ulët të vjedhjeve.
“Duhet të luftonim për shumë vite kundër stigmës, që për një farë mënyre na ka ndjekur si hije që kur kemi ardhur në Europë. Një stigmë që na donte të ishim kriminel, hajdutë, rrëmbyes dhe kështu rezultonte që Shqipëria ishte një vend i zymtë dhe askush nuk duhet të shkonte. Por për fat të mirë, e gjithë kjo ka marrë fund. Kushdo që vjen në Shqipëri mirëpritet nga siguria. Kemi normën më të ulët të vjedhje në Europë”, shtoi kryeministri.
Me sa duket, kryeministri Edi Rama harroi që realiteti nuk përkon me fjalët e mira dhe zgjodhi t’i bënte qejfin vetes, pasi lajmet kryesore vendore mbeten po ato të vrasjeve, përplasjeve të bandave kriminale me pasojë vdekjen e qytetarëve të thjeshtë.
Lini një Përgjigje